Politika Kartat e skaduara të identitetit, Berisha: Nuk u lejuan të votojnë kryesisht...

Kartat e skaduara të identitetit, Berisha: Nuk u lejuan të votojnë kryesisht mbështetës të opozitës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e quajti një akt antikushtetues përjashtimin nga votimi i qytetarëve të Himarës të cilëve u kishte skaduar karta e identitetit apo pasaporta.

“Me urdhër te Edi Ramës sot nuk u lejuan të votojnë për shkak të datës së kartave të identitetit, qindra qytetarë të identifikuar kryesisht mbështetës të opozitës. Ky është një akt i pa precedent, një krim shtetëror elektoral, dhunim i Kushtetutës që ka si qëllim të vetëm manipulimin e rezultatit zgjedhor nga Edvin Gjipea”, shkruan Berisha në Facebook.

Kryetari i Partisë Demokratike shtoi se ky standard nuk u zbatua në zgjedhjet e 14 Majit, ndërsa sipas tij, në ligjet e vendit edhe pas lëshimit të kartave biometrike në mungesë të saj, janë pranuar edhe letërnjoftimet e vjetra që vërtetonin plotësisht identitetin e personit.

“Përjashtimi i qindra zgjedhësve nga e drejta e votimit, ndryshimi i qëllimshëm dhe i programuar i qendrave të votimit të qindra qytetarëve, shtimi në listat e votimit të qindra qytetarëve nga Dropulli, Saranda apo pasunarëve të vilave turistike të bregut janë veprime mafioze antiligjore që akuzojnë rëndë direkt Edi Ramën dhe Vangjel Tavon për krim të shëmtuar elektoral. Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këto akte të rënda antikushtetuese të Edi Gjipes dhe kukullës së tij Vangjel Tavo dhe i garanton se drejtësia vonon, por nuk harron”, përfundon Berisha.