Aktualitet Shantazhi ndaj biznesmenëve në emër të zyrtarëve, policia: Tregohuni vigjilentë ndaj mashtrimeve

Shantazhi ndaj biznesmenëve në emër të zyrtarëve, policia: Tregohuni vigjilentë ndaj mashtrimeve

Policia e Shtetit në një reagim këtë të hënë i ka bërë thirrje biznesmenëve që të tregohen vigjilentë ndaj rasteve të mashtrimit dhe të denoncojnë pranë strukturave të policisë nëse janë viktima të kësaj veprimtarie kriminale.

Reagimi i uniformave blu vjen pasi së fundmi janë evidentuar dhe goditur disa raste të shantazhit ndaj pronarëve apo administratorëve të bizneseve. Mashtruesit thonë se flasin në emër të funksionarëve publikë dhe shtetërorë për të dhënë shuma parash për llogari të tyre.

“Policia e Shtetit apelon edhe një herë për të gjithë operatorët ekonomikë që: Të tregohen vigjilentë ndaj rasteve të tilla të mashtrimit dhe të denoncojnë menjëherë pranë strukturave të Policisë së Shtetit, vendore apo qendrore, çdo rast të dyshuar ose nëse janë viktima të kësaj veprimtarie kriminale”, njoftoi policia.

Mashtruesit përdorin aplikacione të ndryshme telefonike për të komunikuar me bizneset.

“Prandaj, cilido që konstaton të tilla komunikime apo ka rënë pre e tyre, të denoncojë menjëherë. Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht dhe i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të parandaluar dhe goditur në kohë, veprimtarinë kriminale, në cilëndo fushë që ajo shfaqet”, njoftoi policia.