Politika Fitorja e Vangjel Tavos në Himarë, Basha “zbulon” fajtorin për humbjen e...

Fitorja e Vangjel Tavos në Himarë, Basha “zbulon” fajtorin për humbjen e PD

Për Lulzim Bashën fajtori për humbjen e kandidatit opozitar Petro Gjikuria përballë Vangjel Tavos në zgjedhjet për bashkinë e Himarës është kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në një postim të gjatë në Facebook, Basha analizon dështimin e opozitës në qytetin bregdetar, duke akuzuar Berishën për një pazar me kryeministrin Edi Rama, viktimë të së cilit janë himarjotët dhe demokratët.

“Sali Berisha ka shitur demokratët për të mbrojtur veten, sepse nuk ka as hallin e Himarës as hallin e Shqipërisë, por vetëm hallin e tij. Demokratët dhe qytetarët e Himarës janë viktimë e pazarit Rama-Berisha. Tani kishte vulën, komisionerët dhe fondet, me të cilat justifikohej për humbjen dërrmuese të 2023, po sot pse e humbi Himarën?! Sepse interesi i tij nuk është fitorja, por përdorimi i PD-së si strehë për të mbrojtur interesat e tij dhe familjes së tij.”

Në vijim, Basha akuzon Berishën se “u ul në prehrin e Edi Ramës”, duke shkatërruar bashkë me kryeministrin reformën zgjedhore dhe se ka gënjyer demokratët duke premtuar se do të shkonim në zgjedhje me qeveri teknike.

“Pasi amnistoi të korruptuarit bashkë me Ramën, pasi mbylli listat bashkë me Ramën, Sali Berisha nuk mund të mashtrojë më për dorëzimin toptan të opozitës në këmbët e ortakut të tij. Po! Edi Rama është shkatërruesi i zgjedhjeve në Shqipëri. Ai, ashtu si Sali Berisha, është i gatshëm të bëjë gjithçka për interesin e tij. Sali Berisha mbrojti vjedhjen e zgjedhjeve nga Edi Ramen në 2021 vetëm se i interesonte të më sulmonte dhe fajësonte mua, ndërsa sot vazhdon të justifikohet për të pestën herë brenda 2 vitesh për humbje zgjedhjesh, edhe pse demokratëve u premtoi në foltoret e 2021 se ai do e shporrte Ramën për 6 muaj. Por u ul në prehrin e Edi Ramës, amnistoi me votat e tij të korruptuarit e Edi Ramës, shkatërroi reformën zgjedhore, gënjeu se do të merrte qeveri teknike e të drejtën për lista koalicionesh kur në fakt bashkoi votat me Edi Ramën për të mbyllur listat, e në këmbim Rama t’i jepte në shkelje të çdo ligji vulën e PD si dhe bashkoi votat me Edi Ramën për të vënë nën kontrollin qeveritar KLSH.”

Për Bashës, zgjedhjet pjesshme në Himarë treguan se “nuk ka revolucion, nuk ka rrëzim të Ramës, ka vetëm pazar përmes të cilit Rama i jep vulën dhe Berisha i dhuron pushtetin”.

“Ajo që Rama dhe Berisha orkestruan në Himarë, është parathënia e asaj që duan të bëjnë në zgjedhjet e ardhshme në gjithë Shqipërinë. Ky pazar i nisur pas 9 shtatorit 2021 është edhe një pazar kundër SPAK, kundër ndryshimit, kundër Shqipërisë. Shqiptarët meritojnë më shumë, ndaj ne do të qëndrojmë të vendosur kundër korrupsionit dhe bashkëpunimit politiko-financiaro-mediatik ku janë shkrirë në një parti të vetme Edi Rama dhe Sali Berisha.”