Politika Humbja në Himarë, Berisha bën thirrje për “revolta dhe sakrifica”, merr si...

Humbja në Himarë, Berisha bën thirrje për “revolta dhe sakrifica”, merr si shembull protestat në Bangladesh

Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta për manipulimin e zgjedhjeve në Himarë, ku humbi me kandidatin e tij Petro Gjikuria.

Sipas Berishës, Himara duhet të jetë prova e fundit për kryengritje dhe qeveri teknike.

Gjatë fjalimit të tij nga dritarja e banesës, Berisha ka bërë thirrje për “revolta të pandalshme me zemërim dhe sakrifica”.

Ai ka thënë se Edi Rama mund të rrëzohet vetëm në këtë mënyrë, duke sjellë si shembull protestat e përgjakshme me dhjetëra viktima në Nairobi të Kenias, si dhe revoltën popullore në Bangladesh të ndodhur ditët e fundit.

Deklarata e Berishës:

Të dashur miq, në çdo zgjedhje, në qoftë se ne nuk bashkohemi.

Në qoftë se ne nuk bëjmë atë që bëjnë kombet kur u merret vota e lirë, ne pothuajse nuk e meritojmë atë.

Çdo e drejtë e marrë kërkon sakrifica për t’u rifituar.

Në një hark kohor të shkurtër, brenda dy muajve, dy shembuj të fuqishëm frymëzues mijëra e mijëra kilometra nga Tirana.

Në Nairobi, të rinjtë dhe studentët gjunjëzuan diktatorin e tyre të zgjedhur me votë njëlloj si Maduroja e Tiranës.

Kurse sot, studentët e Bangladeshit në demonstratat më të fuqishme që mund të bëhen në një vend, detyruan kryeministren autokrate të korruptuar t’ia mbathë me avion nga Daka pas mbi një muaj protesta. Pas sakrificash sublime të dhjetëra e dhjetëra të rinjve. Nderim përjetë kujtimit të tyre.

Miq, të drejtat, liria nën pushtim nuk fitohen kurrë me fjalë.

Nuk fitohen kurrë me fjalime.

Nuk fitohen kurrë në studio televizive.

Nuk fitohen kurrë përveçse me zemërim, me revolta të pandalshme, me sakrifica gjer në fitore.

Miq, Himara duhet të jetë thirrja për çdo qytetar shqiptar.

Demokrate e demokratë, kemi bërë rrugë të vështirë, por provën e madhe tani e kemi.

Prova e vërtetë tani është para nesh.

Do qëndrojmë ne opozitë për të firmosur vjedhjen e radhës të mandateve.

Do të qëndrojmë ne opozitë për të firmosur mandatin e katërt mbi krimin elektoral të Edi Ramës, apo do përballemi dhëmb për dhëmb, fyt për fyt.

Apo do përballemi për liri dhe dinjitet?

A do i përgjigjemi ne instinktit tonë?

A do i përgjigjemi ne himnit tonë?

A do përmbushim ne misionin historik të përmbysjes së diktaturës të bazuar në aleancën me krimin, vjedhjen e qytetarëve, drogën.

Nuk ka mision më të shenjtë se ky për shqiptarët.