Dy infermiere të azilit ku ndodhi vrasja makabre e mëngjesit të kësaj të enjte janë vënë në pranga nga policia. Ndalimi i tyre është bërë për shkak se dy infermieret nuk kishin kallëzuar ngjarjen në polici, por kanë telefonuar një agjenci funerale.
Mësohet se dy infermieret kanë thënë para uniformave blu se nuk e kanë kuptuar që Zyhdi Shehi kishte vrarë Virxhil Veshon, por sipas tyre, kanë menduar se ky i fundit është rrëzuar dhe si pasojë ka ndërruar jetë.
Mëngjesin e sotëm, 78-vjeçari Zyhdi Shehi e goditi disa herë me një bastun hekuri Virxhil Veshon, 82 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja ndodhi rreth orës 4:00 të mëngjesit në një shtëpi private të moshuarish në zonën e Ali Demit në Tiranë. Burime nga grupi i hetuesve thanë se debati ka qenë banal. Autori e ka akuzuar viktimën se kishte shkuar pa leje në dhomën e tij dhe se i kishte zënë krevatin edhe pse dhomat janë dyshe.
Dy të moshuarit vuanin nga demenca dhe parkinsoni.
Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe ka marrë dëshmitë e punonjësve dhe drejtuesve të azilit si dhe të të moshuarve të tjerë.
78-vjeçari, Zyhdi Shehi është vënë në pranga i akuzuar për vrasje me dashje.