Një grua nga Moldavia rreth të 60-tave e cila punonte në një punishte në Patima Halandriu, në veri të Athinës u gjend e vdekur. Trupi i saj u gjend në një prej tualeteve të ambienteve të punës ku ajo ishte përpjekur të mbrohej nga flakët. Të paktën 65 persona janë shtruar në spital për shkak të asfiksisë nga tymi në pjesët periferike të Athinës.
Mijëra njerëz janë evakuuar pasi zjarrfikësit paralajmëruan se shtëpitë, bizneset dhe shkollat janë nën kërcënim, ndërsa një re e trashë tymi ka mbuluar kryeqytetin grek duke shkaktuar dukshmëri dhe cilësi të ajrit të ulët. Autoritetet kanë arrestuar gjithashtu dy të rinj për zjarrëvënie të qëllimshme në Glifadha.
Aktualisht zjarret janë aktive në rajonin verilindor të Atikës kryesisht rreth qytezave Marathon dhe Penteli. Gjatë natës në Nea Penteli janë djegur shtëpi, një pallat sporti dhe shkolle.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kushtet për zjarre të reja mbeten të rrezikshme edhe për më tej gjatë javës. Vatrat më të mëdha të zjarreve janë në Pentelis, në Dionisos, Halandri, Vrilissia si dhe në Maratonë. Situata bëhet edhe më kritike për shkak të erërave të forta dhe të vazhdueshme, thatësirës , por edhe për shkak të terrenit shumë të ashpër dhe të pakalueshëm në një pyll të dendur.
Në terren janë vendosur më shumë se 700 zjarrfikës, 199 makina zjarrfikëse dhe 35 avionë në përpjekje për shuarjen e zjarreve, të cilat fillimisht shpërthyen të dielën pasdite rreth 35 km në veri të kryeqytetit grek.
Në më shumë se 30 zona autoritetet u detyruan të evakuojnë banorët, së bashku me të paktën tre spitale, dhe pati ndërprerje të energjisë në pjesë të rajonit më të gjerë të Athinës. Tragetet e pasagjerëve që shkonin drejt portit të Rafinës në verilindje të kryeqytetit devijuan rrugën për shkak të dukshmërisë së ulët si pasojë e tymit.
Pamjet tregojnë banorët vendas duke përdorur kova për të luftuar flakët në Vrilissia, një lagje në periferi të Athinës. Shumë prej tyre shprehin zhgënjim dhe zemërim pasi situata nga zjarret vijon të bëhet më e rënde nga viti në vit.
“Është një zhgënjim i madh sepse nuk ka shumë siguri dhe shtëpitë po digjen. Dhe të varfërit që jetojnë në këto shtëpi, si do të ndihen?”
Observatori Kombëtar i Greqisë ka bërë publike gjithashtu imazhet satelitore që tregojnë se zjarret kanë djegur rreth 100,000 hektarë tokë. Shumë shtete evropiane kanë dërguar ndihmë për Greqinë, pasi qeveria e saj aktivizoi mekanizmin e mbrojtjes civile të përbashkët të BE-së. Italia bëri të ditur se do të dërgojë dy avionë ndërsa Franca dhe Serbia nga një helikopter secila.
Spanja, Republika Çeke dhe Rumania po dërgojnë automjete, personel dhe ndihma të tjera. Turqia fqinje po përgatitet gjithashtu të dërgojë dy avionë dhe një helikopter.
Vitin e kaluar, zjarret në Greqi vranë më shumë se 20 njerëz, duke përfshirë 18 emigrantë të cilët u bllokuan nga flakët ndërsa po ecnin nëpër një pyll në Greqinë verilindore dhe dogjën shtëpi, biznese si dhe hotele.