Muhamet Rrumbullaku, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, deklaroi se autori i dyshuar i krimit në Pogradec, Denis Meçe, nuk kishte njohje me viktimën Eglantin Proga.
Në konferencën për shtyp ku mbrojti veprimet e policisë në këtë ngjarje, Rrumbullaku tha se sherri ka nisur pas një konflikti të çastit.
“Në rastin e ngjarjes në Pogradec, autori dhe viktima nuk njiheshin dhe nuk është e vërtetë asgjë nga pistat që përfliten. Po keqinformohet. Ajo ngjarje ishte një konflikt i çastit”, tha Rrumbullaku.
Rrumbullaku deklaroi se policia e arrestoi në kohë rekord Denis Meçen, për “vrasjen me dashje” të Egli Progës, por ishte prokuroria ajo që ka kërkuar masë tjetër, atë të vrasjes nga pakujdesia.
“E ritheksoj, policia e ka referuar “vrasje me dashje” për organin e prokurorisë. Janë arrestuar edhe 3 shtetas të pranishëm ku ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Korçë. Nëse prokuroria ka kërkuar një masë tjetër nga ajo për të cilën policia ka kryer arrestimin, kjo është një çështje që as nuk na takon dhe as kemi tagrin ta komentojmë. Por, të pretendohet se Policia e Shtetit tentoi të fshehë ngjarjen apo rëndesën e saj, kur ne ia kemi dorëzuar drejtësisë autorin në kohë rekord, me motivin vrasje me dashje, kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme”, deklaroi Rrumbullaku.