Aktualitet Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi konfiskimin e pasurive të...

Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi konfiskimin e pasurive të “Baronit të Drogës”

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së për konfiskimin e pasurive të “Baronit të Drogës”, Alket Hatija.

“Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.24, datë 31.10.2023, ndërmjet të tjerave ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive si më poshtë:

Pasurinë e paluajtshme e llojit “truall”, me sipërfaqe 495 m2, me adresë Lagjia “Plazh”, Durrës, në pronësi të shtetasit Alket Hatija.

Pasurinë e paluajtshme e llojit “truall”, me sipërfaqe 320 m2, me adresë Lagjia “Plazh”, Durrës, në pronësi të shtetasit Alket Hatija;

Pasurinë e paluajtshme e llojit “garazh”, me sipërfaqe 14.74 m2, me adresë Lagjia Nr.13, Plazh, Durrës, në pronësi të personit të lidhur M. H.

Pasurinë e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 118 m2, me adresë Lagjia nr.1, Rruga “Taulantia”, Durrës, në pronësi të personit të lidhur F.H.

Pasurinë e paluajtshme e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 65 m2, me adresë Kryemëdhenj, Kavajë, në pronësi të shtetasit F. H.;

Automjetin tip autoveturë i markës BMW, prodhim i vitit 2003;

49% të kuotave të subjektit “Aquila Marble” sh.p.k., që i përkasin personit të lidhur M.H.;

Kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kanë ushtruar ankim subjekti Alket Hatija e personat e lidhur me të dhe Gjykata e Posaçme e Apelit Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.137 datë 05.07.2024 ka vendosur:

Lënien në fuqi të vendimit nr.24, datë 31.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.“

Hatija u dënua nga Gjykata e Milanos me 20 vjet burg për trafik të lëndëve narkotike, kryesisht të llojit heroinë.

Në bashkëpunim me 40 persona të tjerë, gjatë periudhës 2003-2004, ai dyshohet se ka trafikuar nga Shqipëria në Itali, nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar, sasi të mëdha droge, rreth 10 kg heroinë për çdo rast.