Aktualitet Tentoi të rrëmbejë dy vajza të mitura, 23-vjeçari shqiptar në SHBA rrezikon...

Tentoi të rrëmbejë dy vajza të mitura, 23-vjeçari shqiptar në SHBA rrezikon burg përjetë

Endi Bala

Një 23-vjeçar shqiptar rrezikon burg përjetë në Karolinën e Veriut, pasi akuzohet se ka tentuar të rrëmbejë dy vajza të mitura në kohë të ndryshme.

23-vjeçari Endi Bala, sipas mediave amerikane, ka tentuar që të rrëmbejë një vajze 7-vjeçare në Sterling Heights dhe një tjetër, të moshës 15 vjeçe në Clinton Township.

Bala u arrestua nga Policia e Sterling Heights të martën pasi dyshohet se iu afrua një vajze 7-vjeçare në Parkun e lumit Clinton North, e tërhoqi nga biçikleta dhe tentoi ta fusë në makinën e tij, sipas Zyrës së Prokurorit të Qarkut Macomb.

Rreth një orë para arrestimit, një tjetër denoncim kishte mbërritur në polici, se një djalë kishte tentuar të rrëmbente një 15-vjeçare, tha në një deklaratë për shtyp Departamenti i Policisë së Township Clinton. Vajza po ecte në rrugën Clinton River Road.

Ai dyshohet se ka kapur kokën dhe qafën e vajzës dhe ka tentuar ta fusë në makinën e tij, sipas prokurorëve. Një banor ka ndërhyrë për të ndihmuar vajzën të ikë dhe më pas kanë njoftuar autoritetet.

Magjistrati i Gjykatës së Qarkut 41-A i Sterling Heights, Michael Piatek e dërgoi Balan në burgun e qarkut Macomb.

Sa i takon tentativës për rrëmbimin e 7-vjeçares, ka qenë tezja e saj që e ka shpëtuar.

Ndërsa gjyshja e vajzës tha se kjo ishte e tmerrshme dhe nuk e kupton se përse ai tentoi të bëjë diçka të tillë.

“Ajo është 7 vjeçe dhe nuk do donte kurrë të përjetonte sërish atë që ndodhi të martën. Ajo është e frikësuar, pasi mendon se në çdo moment dikush do ta rrëmbejë siç tentuan të bëjnë të martën. Kjo është një ngjarje zemërthyese, por ajo është një vogëlushe e fortë. Nuk e di se çfarë ka pasur në mendje të bëjë me mbesën time, por kjo është e tmerrshme. Uroj që ai mos ta shohë më kurrë dritën e diellit!”, tha gjyshja e vajzës.

Prokurori i çështjes, Mark Laws, kërkoi një garanci prej 5 milionë dollarësh, por avokati i Balës tha se kjo do të ishte e tepërt dhe e papërballueshme pasi ai tashmë kishte një detyrim prej 2 milionë dollarësh në Clinton Township.

Laws tha se dyshonte se Bala mund të largohej nga SHBA, pasi ai kishte udhëtuar në Shqipëri tre herë në gjashtë vitet e fundit.