Kulturë Një studim i ri zbulon origjinën misterioze të gurit të altarit të...

Një studim i ri zbulon origjinën misterioze të gurit të altarit të Stonehenge

Një gur altari që ndodhet në zemër të Stonehenge në Anglinë Jugore është dërguar aty nga zonat e largëta të Skocisë, një zbulim befasues që sugjeron se është shumë më i vjetër se çdo shkëmb tjetër në kompleksin prehistorik.

Kjo do të thotë gjithashtu se ata që ndërtuan Stonehenge, e transportuan këtë gur gjigant prej gjashtë tonësh në një distancë prej më shumë se 400 miljesh, një arritje mahnitëse, sipas një grupi studiuesish që i publikuan gjetjet e tyre në revistën “Nature”.

Gurët e tjerë të Stonehenge vijnë nga zonat përreth ose nga Uellsi relativisht i afërt, ndërsa origjina skoceze e gurit të altarit hedh një dritë të re mbi shoqërinë neolitike të kohës kur u ndërtua Stonehenge, i cili daton në 3000 pes.

“Ai rishkruan plotësisht marrëdhëniet midis popullsive neolitike të të gjithë Ishujve Britanikë”, tha për The Guardian, studiuesi i Kolegjit Universitar të Londrës dhe bashkëautori i studimit, Rob Ixer.

Duke analizuar përbërjen dhe moshën e saj, studiuesit zbuluan se pllaka e gurit ranor erdhi nga veriu i largët i Skocisë, madje deri në ishujt Orkney.

Kjo ngre pyetjen: Si arriti guri i altarit në Stonehenge?

“Vështirësia e transportit tokësor në distanca të gjata për ngarkesa kaq masive nga Skocia, përmes barrierave topografike, sugjeron se ajo është transportuar nga deti”, thuhet në studim”. Një rrugë e tillë tregon një nivel të lartë organizimi shoqëror dhe transporti brenda Britanisë gjatë periudhës së neolitit.

“Ne i nënvlerësojmë seriozisht aftësitë dhe teknologjitë e tyre,” thotë për Nature arkeologu i Universitetit të Jorkut, Jim Leary, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim. “Ne nuk kemi gjetur kurrë asnjë nga varkat e tyre, por e dimë se ata mund të transportonin bagëti, dele dhe dhi nga deti”.

Pavarësisht se si arriti atje – qoftë duke e tërhequr zvarrë në tokë ose përmes ujit – origjina e largët e altarit na jep një vlerësim edhe më të thellë të një prej mrekullive të botës.