Kosova Presidentja Vjosa Osmani cakton datën e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani cakton datën e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë

Më 9 shkurt 2025, qytetarët në Kosovë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur ligjvënësit e rinj në Kuvend dhe qeverinë që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme.

Data e zgjedhjeve parlamentare është caktuar pasditen e kësaj të premte nga presidentja Vjosa Osmani.

Përmes një postimi në mediat sociale, Osmani ka njoftuar qytetarët se ka dekretuar 9 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Ky dekretim vjen në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore që përcaktojnë periudhën brenda së cilës duhet të zhvillohen zgjedhjet e radhës.

“Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës në përputhje me këtë Dekret dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në dokumentin e publikuar nga Osmani.