Aktualitet 20 mijë euro “gjobë”, shefi i antidrogës në Durrës: Nuk e dija...

20 mijë euro “gjobë”, shefi i antidrogës në Durrës: Nuk e dija se në zarf kishte para

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Gazmir Preçin.

Gjatë zhvillimit të seancës, shefi i trafiqeve në Policinë e Durrësit, i akuzuar nga SPAK për “korrupsion” dhe “shpërdorim të detyrës” ka mbajtur qëndrim mohues për akuzën.

Ai ka pretenduar se e ka takuar pronarin e lokalit të natës, pasi ky i fundit e kishte kërkuar.

Preçi është shprehur se nuk kishte dijeni se në zarfin e dhënë prej tij kishte para, madje ka kërkuar që zarfi të hapet në prani të avokatit të tij.

Po ashtu, Preçi pretendon se kishte dyshime se biznesmeni bënte shitje të lëndëve narkotike dhe për këtë arsye e ka pasur nën vëzhgim.

Ngjarja

Gazmir Preçi, shefi i trafiqeve në Policinë e Durrësit u arrestua nga AMP, sapo mori shumën prej 10 mijë eurosh nga pronari i lokalit të natës, që është dhe personi që e kallëzoi atë. Vendtakimi për dorëzimin e parave ishte në Tiranë, në afërsi të zonës së Kinostudios.

Sapo denoncuesi i ka dhënë një pjesë një pjesë të parave, kanë ndërhyrë oficerët e AMP. Nga hetimet e këtyre të fundit ka rezultuar se Preci duke e kërcënuar se do t’i mbyllë lokalin, i ka vënë gjobë prej 20 mijë Eurosh pronarit të biznesit. Sipas biznesmenit, shefi i policisë i bënte presion atij se do i mbyllte biznesin me argumentin e kishte të punësuar persona të cilët nuk i kishte të siguruar në punë.

Pas arrestimit të Gazmir Precit, AMP sekuestroi shumën prej 10 mijë Eurosh dhe dy aparatet celulare të tij. Për operacionin e zhvilluar reagoi dhe ministri i brendshëm, Ervin Hoxha i cili inkurajoi autoritetet për ndëshkimin e kujtdo punonjësi policie që hiqet si padronë i qytetarëve dhe bizneseve, dhe jo si shërbëtor i ligjit.