Sport 115 shkelje, Manchester City rrezikon dënimin më të rëndë në histori: Mund...

115 shkelje, Manchester City rrezikon dënimin më të rëndë në histori: Mund të zbresë nga Premier League

Gjyqi që përfshin Manchester City për 115 shkeljet e pretenduara të “Fair Play Financiar” do të fillojë zyrtarisht në shtator.

Do të jetë një seancë historike, që do të zgjasë dhjetë javë, e cila duhet të japë frytet vetëm në vitin 2025 dhe mund të prishë tërësisht tablonë e futbollit anglez.

Të gjithë ekspertët bien dakord: Skuadra e Pep Guardiolës rrezikon shumë dhe rënia nga kategoria nuk është një hipotezë kaq e largët.

“Qytetarët” janë akuzuar për parregullsi financiare prej 9 vitesh, duke filluar nga viti 2009, dhe sanksionet e parashikuara në këtë rast (nëse të gjitha akuzat e ngritura vërtetohen) janë shumë të ashpra.

Gjyqi do të tërheqë vëmendje të madhe nga e gjithë bota, sepse asgjë si kjo nuk ka ndodhur më parë. Klubi nga “Etihad” mohon çdo keqbërje, por akuzat janë të rënda. Flitet për sjellje të parregullta financiare, me rritje të të ardhurave nga sponsorizimet dhe shkelje të rregullave të “Fair Play Financiar”.

“The Times” u përpoq të hetonte tërësisht përpara fillimit të seancës gjyqësore, duke intervistuar drejtorin me përvojë të një klubi të Premier League. Sipas këtij burimi, pasojat mund të jenë shkatërruese: “Mendimi i përgjithshëm, që e kam dëgjuar, është se sanksioni i përshtatshëm duhet të jetë një zbritje pikësh aq e madhe (po flasim midis 70 dhe 80 pikë), saqë i garanton City një sezon në Championship”.

Tabloja e futbollit anglez do të ndryshonte rrënjësisht nëse Manchester City do t’i jepej një penalitet prej minus 80 pikësh, që do të çonte në rënie të sigurt nga Premier League. Kjo do të ishte rënia e parë e “qytetarëve” nag kategoria që nga viti 2002, vit në të cilin u ngjitën në Premier League, duke rishkruar plotësisht historinë. Në rastin më të rëndë (që mbetet i largët dhe praktikisht i pamundur), skuadra e Guardiolës mund të përballet edhe me përjashtimin e përhershëm nga kampionati.