Kryesore Protesta e PD: Çfarë shkruajnë Mero Baze, Andi Bushati dhe Sokol Balla

Protesta e PD: Çfarë shkruajnë Mero Baze, Andi Bushati dhe Sokol Balla

Protesta e opozitës ka dominuar debatin publik, ndërsa është temë kryesore e diskutimeve online.

Analistët kryesorë në vend kanë dhënë këndvështrimin e tyre për atë që opozita e ka etiketuar si ‘çadra e lirisë’.

Mero Baze në gazetën Tema është marrë me praninë e bashkëshortes së kreut të PD, Aurela Basha në çadrën e protestës.

Ai bën një krahasim mes dy vajzave të Aleks Nikës që u vra më 21 Janar dhe vajzave të Lulzim Bashës.

Tani, në një çadër në Bulevardin e Tiranës, ekzaktësisht mbi vendin që u vra babai i Amelias dhe Mentilës, atje ku është dhe pllaka që nderon rënien e tij, është ulur Aurela, gruaja e vrasësit”, shkruan Baze.

Ajo u përpoq të prekte njerëzit në çadër, duke u folur në emër të fëmijëve të tyre dhe të ardhmes së tyre. Ishte një përgjërim i pështirë, hipokrit dhe i neveritshëm”.

Kurse analisti Andi Bushati shkruan në Lapsi.al se problem është fakti se çadrës së PD-së nuk po i afrohen aleatë.

Paaftësia për t’u zgjeruar jashtë gardhit të PD-së ka arsyet e saj. Është vështirë që dikush të besojë se një parti që është treguar jo sensibël që prej vitit të largët 1996 e deri në verën e 2011, për votën e lirë, tani e ka seriozisht këtë kauzë”, shkruan Bushati.

Ndërsa Sokol Balla në JavaNews bën një analizë të aleancave të mundshme zgjedhore, duke theksuar se Ilir Meta nuk ka logjikë të bashkohet me Bashën.

“Dhe meqë Zotin nuk e dimë ku është, por Kryeprokurorin po, atëherë e kemi të qartë të gjithë, se kjo protestë, sa kohë kalojnë ditët, e orët e minutat, veç nëse Meta vendos ta përmbysë kovën e ta derdhë qumështin në bulevard, për sfidë sesa për logjikë, do hyjë në histori, si etapa e radhës e kopjuar nga Basha për të ardhur në pushtet, më një libër të shkruar nga Edi Rama”, shkruan ai.