Bota ‘Elon Musk’ i Rusisë me 100 fëmijë biologjikë! Kush është Pavel Durov,...

‘Elon Musk’ i Rusisë me 100 fëmijë biologjikë! Kush është Pavel Durov, themeluesi i Telegram që u arrestua në Francë

Për njerëz të ndryshëm, Pavel Durov ka etiketime të ndryshme. Për disa është gjeni i programimit, për të tjerë sipërmarrës miliarder, për të tjerë lolo i Kremlinit, por edhe luftëtar i fjalës së lirë. Por për të paktën 100 fëmijë, është edhe babai i tyre biologjik.

Themeluesi i Telegram, i cili u arrestua në Francë fundjavën e kaluar, futet në listën e “djemve të rinj” të botës së teknologjisë, si Mark Zuckenberg, Jack Dorsey apo Elon Musk. Por ndryshe nga të tjerët, ai ka edhe “vesin” e bërjes së fëmijëve. Në korrik të këtij viti ai pranoi se ishte babai i 100 fëmijëve, falë dhurimit të spermës përgjatë 15 viteve të fundit.

Me një pasuri prej 9,15 miliardë dollarësh, sipas “Bloomberg” dhe me një tufë pasaportash e adresash, Durov ka jetuar gjatë gjithë jetës pa kufij, gjithmonë në lëvizje në përpjekje për t’i shpëtuar syrit vigjilent të qeverive, qofshin demokratike apo jo.

Por tani Durov është në telashe, për shkak se ka bërë të mundur që në aplikacionin e tij, Telegram, njerëzit të komunikojnë në siguri të plotë, edhe jashtë kontrollit të punonjësve të vetë kompanisë, çka ka ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare të shumë shteteve brenda Bashkimit Europian.

Gjenitë e matematikës

Siç e ka pranuar edhe vetë në një intervistë me Tucker Carlson këtë vit, Durov ka lindur në vitin 1984 në Bashkimin Sovjetik, por është transferuar në Torino të Italisë kur ishte 4 vjeç. Familja e tij u transferua sërish në Rusi pas rënies së Bashkimit Sovjetik, pasi të atit iu ofrua punë në Universitetin shtetëror të Shën Pjetërburgut.

Durov ka thënë se ai dhe vëllai i tij i madh, Nikolai, ishin gjeni në matematikë që të vegjël. Madje Nikolai merrte pjesë në emisione televizive kur ishte fëmijë, ku zgjidhte ekuacione të vështira drejtpërdrejt, ndërsa ka fituar edhe disa medalje të arta në Olimpiada ndërkombëtare matematike. “Të dy kishim me shumë pasion kodimin”, tha Durov.

Ai deklaroi se kur familja e tij u rikthye në Rusi, mori me vete nga Italia një kompjuter IBM, duke u bërë një nga pak fatlumë në Rusi që mund të mësonin programimin.

Zuckerberg-u i Rusisë

Falë aftësive të tij, kur ishte 21 vjeç, Durov krijoj Vkontakte (VK), një media sociale që u bë e njohur shpejt si Facebook-u i Rusisë dhe Durov ishte i barasvlershmi i Mark Zuckerberg. Por Durov u armiqësua me Kremlinin shumë më shpejt se sa Zuckerbergu me Uashingtonin.

Kur protestuesit nisën të përdorin VK për të organizuar demonstrata në Kiev kundër presidentit prorus Viktor Yanukovich, në vitin 2013, Durov tha se Kremlini i kërkoi që të dorëzonte të dhënat personale të përdoruesve ukrainas. “Ne vendosëm të refuzonim dhe kjo nuk u mirëprit nga qeveria ruse”, tha Durov për Carlson.

Ky vendim vulosi fatin e tij në kompani. Më vonë ai dha dorëheqjen si CEO, duke hapur dyert e kompanisë së tij për Vladimir Putinin. Sipërmarrësi shiti të gjitha aksionet e veta, duke u larguar me miliona dollarë nga Rusia. Sot, VK është nën kontrollin e shtetit rus.

“Synimi nuk ka qenë kurrë të bëhesha i pasur, gjithçka vërtitej rreth arritjes së lirisë. Dhe me sa mundësi të kem, misioni im në jetë është që të lejoj edhe të tjerët të jenë të lirë”, tha Durov. “Nuk marr urdhra nga askush”.

“Të gjitha janë kot!”

Ndërsa Zuckerberg zgjodhi të blinte WhatsApp në rrugëtimin e tij për ndërtimin e perandorisë së mediave sociale të njohur si Meta, Durov vendosi ta ndërtonte vetë aplikacionin e mesazheve, pavarësisht se tregu ishte i tejmbushur. Por sipas tij, asnjë prej tyre nuk ishte mjaftueshëm i mirë. “Nuk ka rëndësi sa aplikacione të tilla, nëse të gjithë janë kot”, pati deklaruar Durov në vitin 2015 në një konference teknologjike.

Durov tha se përvoja me Kremlinin ishte shtysa kryesore që e bëri të krijonte Telegramin, që tani e ka selinë e vet në Dubai.

Ai dhe i vëllai donin të ndërtonin diçka që do t’i mbante sytë e qeverive larg njerëzve. Dhe siç tregoi koha, fiksimi i aplikacionit pas privatësisë u pëlqye nga qindra miliona përdorues që shkarkuan dhe përdorën Telegram – mes tyre edhe terroristët që planifikuan sulmin në Paris në nëntor 2015.

Pas asaj tragjedia, Durov, i cili preferonte të qëndronte në hije, nisi një fushatë daljesh publike për të siguruar përdoruesit se Telegrami nuk është WahtsApp-i i terroristëve, por vetëm aplikacioni më i sigurtë për komunikim. “Nuk mund të ruhesh nga kriminelët dhe të hapësh dyert për qeverinë”, tha Durov në vitin 2016 në një intervistë për CNN.

Beteja me Kremlinin dhe dyshimet e kritikëve

Refuzimi i Telegramit për të hequr krpitimin e mesazheve mes përdoruesve e vuri përballë qeverive të të gjithë botës, beteja më e fortë qe ajo me Kremlinin.

Në vitin 2018, Moska u përpoq të ndalonte përdorimin e aplikacionin pasi Durov refuzoi të siguronte kodet e dekriptimit të mesazheve. Por Durov e theu këtë barrierë dhe në vitin 2020, masa e ndalimit u shfuqizua.

Në vitet pasuese, Telegrami u bë ndër të paktit aplikacione të mediave sociale që operonte në Rusi pa kufizime. Madje sot është mjeti i komunikimit i preferuar edhe i shumë zyrtarëve të qeverisë ruse.

Kritikët e Durovit thonë se është e dyshimtë që Telegrami të funksionojë kaq lirisht në Rusi pa arritur ndonjë lloj marrëveshjeje me Kremlinin, akuza që Durov i ka hedhur poshtë vazhdimisht.

Para se të arrestohej në Paris, Durov ishte në Azerbajxhan njëkohësisht me Presidentin Vladimir Putin, i cili ishte në vizitë zyrtare dyditore atje. Por zëdhënësi i Kremlinin, Dimitry Peskov, tha se nuk kishte pasur një takim mes të dyve.

Edhe pse Durovi i ka kthyer shpinën vendit të tij publikisht, qeveria ruse nisi të lëvizte menjëherë pas arrestimit të tij.