Aktualitet Zbardhet vrasja e Elis Rroshkodolit në Shkodër: Një në pranga, tre në...

Zbardhet vrasja e Elis Rroshkodolit në Shkodër: Një në pranga, tre në kërkim

Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë të 30 gushtit në Shkodër, ku mbeti i vrarë Elis Rroshkodoli në një lokal.

Uniformat blu bëjnë me dije se për krimin është arrestuar një person i implikuar në këtë rast, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 bashkautorë të vrasjes së 36-vjeçarit, të cilët janë identifikuar nga Policia.

Konkretisht në pranga ka rënë 26-vjeçari me iniciale Xh.M. për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim, 31-vjeçari me iniciale J. Xh., 38-vjeçari me iniciale V. Xh. dhe 42-vjeçari me iniciale D. M.

Në vijim të operacionit, u zbulua në territorin e bashkisë Tiranë, një garazh, ku këta 4 shtetas mbanin automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës, të cilat dyshohet se janë siguruar për të shërbyer gjatë kryerjes së krimeve të rënda kundër personit.

Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 automjete të dyshuara të trafikuara dhe pjesë të automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.).

Viktima Elis Rroshkodoli mori 14 plumba në trup, nga 18 që u gjetën në vendin e ngjarjes.

Autori ka qenë i maskuar dhe ka qëlluar me plumba në drejtim të Rroshkodolit. Pas vrasjes autori është larguar nga aty me një makinë, itinerari i të cilës është ndjekur nëpërmjet kamerave të sigurisë nga hetuesit.

Rroshkodoli ishte emër i njohur për autoritetet, pasi është me precedentë penal në fushën e vjedhjeve dhe krimeve kundër jetës. Në vitin 2010 dyshohet se Elis Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu.

Më pas në vitin 2014 dyshohet se është përfshirë në një vjedhje në Belgjikë, i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh. Po në Belgjikë dyshohet se ka plagosur një shtetas.

Në vitin 2023, është autor i dyshuar për  plagosjen e një rumuni në Rumani nga ku është arratisur drejt Stambollit. Ndërkohë policia përveç këtyre ngjarjeve ka mësuar edhe disa konflikte të tjera ku dyshohet se është përfshirë viktima. Policia ka dyshime se ekzekutorët e kësaj vrasjeje mund të jenë persona me pagesë dhe se porositësit janë të tjerë.