“Drejtësia që po afron do të merret me të gjithë ata prokurorë e gjykatës që dalin nga sistemi sepse janë të korruptuar, nuk justifikojnë dot pasurinë apo kanë marrë vendime në kundërshtim me ligjin”, tha sot Kryeministri Edi Rama.
Në takimin me banorët e Pukës, kryeministri i siguroi ata se të gjitha çështjet e ngritura do të trajtohen dhe do të zgjidhen, përveç çështjeve që kanë lidhje me gjykatat.
“Çështjet e gjykatave nuk i zgjidhim dot, pavarësisht gjithë këtij procesi. Edhe pse ne kemi pastruar gjykatësit e prokurorët me reformën në drejtësi, akoma ka probleme. Situata dramatike se si gjykatësit lehtësuan dënimin e vrasësve të policit, janë sepse ka akoma luftë për të bërë”, tha Rama.
Por ai siguroi se “nuk mbaron këtu për të gjithë ata prokurorë e gjykatës që dalin nga sistemi sepse janë të korruptuar, nuk justifikojnë dot pasurinë apo kanë marrë vendime në kundërshtim me ligjin”.
“Nuk është pushim nga puna. Kjo është faza e pastrimit të pallatit të drejtësisë dhe ata që janë konstatuar në shkelje flagrante të ligjit do të paraqiten para drejtësisë, sepse është drejtësia që afron që i ka trullosur”, tha Rama.
Rama tha se “shumë nga dëmet e gjykatave nuk i rregullojmë dot më, por me reformën në drejtësi gjykatat do të bëhen të barabarta për të gjithë njerëzit”.