Aktualitet Lihet në burg 21-vjeçari që strehoi të “fortin e Niklës”

Lihet në burg 21-vjeçari që strehoi të “fortin e Niklës”

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për Klajdi Hakën.

21-vjeçari nuk ka pranuar të flasë para togave të zeza për akuzat e ngritura ndaj tij.

Klajdi Haka u arrestua pas operacionit që çoi në kapjen e të shumëkërkuarit Marklen Haka, të premten e shkuar.

Ai akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe përkrahje të autorit të krimit, pasi e kishte strehuar 33-vjeçarin Haka në banesën e tij.

Të dielën, para Gjykatës së Posaçme doli vetë Marklen Haka, i njohur dhe me mbiemrin Aliu.

I ashtuquajturi “i forti i Niklës” konsiderohet nga autoritetet si një nga njerëzit kryesorë të botës së krimit në Shqipëri dhe ishte në listat e të shumëkërkuarve të policisë.

Për disa muaj ai u fsheh në Dubai pasi u shpall në kërkim me kërkesë të SPAK dhe ka hyrë ilegalisht në Shqipëri disa javë më parë.

Para gjykatës e cila e la në arrest me burg, 33-vjeçari i mohoi akuzat e ngritura ndaj tij.