Politika “Do marrin më pak mandate se në ‘97-n”, PD reagon ndaj Ramës:...

“Do marrin më pak mandate se në ‘97-n”, PD reagon ndaj Ramës: Paralajmërim ogurzi për fatin e votës së shqiptarëve

Partia Demokratike reagoi pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama se ajo do të marrë në zgjedhjet e 2025 më pak mandate së në votimet skandaloze të 1997.

“Ky është paralajmërim ogurzi për fatin e votës së shqiptarëve në Shqipëri dhe atyre që jetojnë jashtë, dhe që për herë të parë do të kenë të drejtën e votës”, tha Oerd Bylykbashi në një deklaratë për mediat.

“OSBE i quajti votimet e 1997 vetëm si “të pranueshme për shkak të rrethanave të rënda” dhe konstatoi se në rreth 70% të vendit, kandidatët e Partisë Demokratike u penguan nga bandat të bënin fushatë. Votimet e vitit 1997 ku mbretëroi terrori i bandave të Zani Çaushëve të lidhura me Partinë Socialiste, mbi kandidatët, militantët dhe simpatizantët e PD, janë standardi që Kryeministri Edi Rama ofron për shqiptarët për zgjedhjet e vitit 2025”.

Sipas Bylykbashit, kjo deklaratë e Ramës vërteton edhe një herë se duhet ngritur një qeveri teknike, që nuk drejtohet nga Rama dhe që garanton zgjedhje të lira e të ndershme është domosdoshmëri për shqiptarët.

“Kjo deklaratë e Ramës, pasi ka burgosur liderin e Partisë Demokratike, është treguesi se ai ka në mend vetëm forcën dhe bandat për të shkatërruar zgjedhjet dhe mposhtur opozitën. Partia Demokratike e merr shumë seriozisht këtë premtim të Edi Ramës për të rikthyer standardin e 1997 në zgjedhje. Partia Demokratike do t’i përgjigjet fort, në mënyrë të plotë dhe proporcionale dhe me çdo mjet legjitim, skenarit të Edi Ramës. Edi Rama, çdo vegël e tij, çdo patronazhist, çdo institucion i shtetit, përfshirë gjoja të pavarurit, do të mbajnë përgjegjësi të plotë nëse angazhohen apo i hapin rrugë këtij skenari. Edhe njëherë, që të shmangen skenarët e ’97-ës, Partia Demokratike kërkon lirimin e Sali Berishës, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme!”, përfundoi Bylykbashi.