Kryesore “Firma ime nuk ekziston në asnjë dokument”, Berisha: Lejet janë dhënë nga...

“Firma ime nuk ekziston në asnjë dokument”, Berisha: Lejet janë dhënë nga Rama, Basha dhe Veliaj

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi pak para se të hynte në SPAK se është vënë nën arrest “me kallëzimin e rremë të Taulant Ballës se toka në territorin e Klubit Partizani nuk u takonte pronarëve mbasi ishte shpronësuar nga autoritetet italiane”.

“Prokurorët e dinin që ky ishte mashtrim sepse fletoret zyrtare të vitit 1942-1943 faktojnë qartë se ajo tokë nuk është shpronësuar kurrë, por ishte vendosur nën rekuizim për 6 muaj. Nga dhjetëra zyrtarë që kanë firmosur dokumentet e procesit të njohjes dhe kthimit te pronarët legjitim të tokës së konfiskuar nga regjimi komunist dhe parablerjen prej tyre të objekteve të Klubit Partizani asnjë nuk është në ndjekje penale sepse ata kanë zbatuar strikt ligjet e vendit. Firma e Sali Berishës nuk ekziston në asnjërin prej këtyre dokumenteve”, deklaroi Berisha, siç raporton A2.

“Nuk ka asnjë provë, dëshmi apo dokument që të tregojë se Berisha ka kërkuar apo ka bërë presion ndokujt që të firmosë qoftë dhe një dokument të vetëm në procesin e njohjes dhe kthimit të pronës dhe të të drejtës së parablerjes, në rastin e privatizimit të klubit Partizani. Në vitet 2006-2013 nuk ka asnjë ligj apo VKM nominative të miratuar në lidhje me pronësinë dhe privatizimin. Të gjithë ligjet dhe VKM janë miratuar për të gjithë popullsinë dhe prej tyre pa asnjë diskriminim kane përfituar nga procesi i njohjes, rikthimit dhe parablerjes së objekteve nga ish-pronarët legjitimë mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë. Ndër këta pronarë të ligjshëm, dhëndri im, Jamarbër Malltezi ka përfituar 410 metër katror tokë te Klubi Partizani të trashëguar nga familjarë të tij, ndër ta edhe të pushkatuar nga regjimi komunist”, shtoi Sali Berisha.

Më tej, kreu i PD theksoi: “Ky qëndrim ligjor dhe kushtetues i qeverisë së Partisë Demokratike është krejtësisht i kundërt nga qëndrimi i Edi Ramës i cili me vendim të personalizuar VKM nr 183 dt i dha të vëllait, Olsi Rama, 37,000 m2 duke ua marrë në kundërshtim me ligjin pronarëve legjitimë; apo që përmes 4 VKM të personalizuara i dha me 1 euro gazetarit të tij Karlo Bolino, 4500 m2 të nga e cila 1500 m2 familja Begeja pronare të tjerë fisnikë ia kishin lënë komunitetit për ndërtimin e një shkolle të mesme. Së fundmi rezulton se me manipulime dhe mashtrime Edi Rama ka marrë në Kanionin e Gjipes 224,000 m2 tokë, me emrin e nënës dhe familjarëve të tij, nënës së tij, pa patur asnjë dokument zyrtar kadastral apo shpronësimi nga ndonjë qeveri. Zhvillimi i pronës private të rikthyer pesë familjeve të truallit të Klubit Partizani është kryer nga 3 trashëgimtarë të tyre, sipas vullnetit të tyre dhe në përputhje të plotë me ligjet e vendit. Të gjitha lejet e zhvillimit të kësaj prone janë dhënë nga Edi Rama, Lulzim Basha dhe Erion Veliaj. Asnjeri nga këta 3 partnerë private nuk ka përfituar asnjë cent nga qeverisja e Sali Berishes dhe asnjë dëm nuk i është shkaktuar shtetit. Sali Berisha u vu nën arrest me pretendimin se ai ka nisur procesin e privatizimit te Klubit Partizani dhe ka ndryshuar destinacionin. Ndërkohë, dokumentet zyrtare provojnë se privatizimi është nisur nga qeveria socialiste, kurse ndryshimi i destinacionit nga terren sportiv në truall ndërtimi është bërë nga Edi Rama”.