Kryesore Mazhoranca shpërfilli Kushtetuesen për Xhaçkën, reagon SHBA: Qeveria dhe institucionet duhet të...

Mazhoranca shpërfilli Kushtetuesen për Xhaçkën, reagon SHBA: Qeveria dhe institucionet duhet të respektojnë rregullat

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për të mos dërguar mandatin e Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.

Pas Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, edhe ambasada amerikane shprehu shqetësim lidhur me këtë vendim.

“Ambasada e SHBA ndan shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Europian lidhur me vendimin e Parlamentit të Shqipërisë për të shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Siç vërejti kohët e fundit Kryetarja e Parlamentit, marrja e hapave të nevojshme për vendimet e Gjykatës Kushtetuese është përgjegjësi qendrore e Parlamentit dhe është gjithashtu jetike për ndarjen e pushteteve”, tha ambasada përmes një deklarate.

“Qeveria dhe institucionet duhet të respektojnë rregullat, ligjet, vendimet e gjykatave dhe kushtetutën – të gjitha të cilat janë aty për të siguruar që sistemi demokratik është i shëndetshëm dhe lulëzon”.