Aktualitet Plagosi dy persona në Malësinë e Madhe, detaje nga arrestimi i Lul...

Plagosi dy persona në Malësinë e Madhe, detaje nga arrestimi i Lul Rakajt

Rreth 4 orë ka mundur të zgjasë arratia e Lul Rakajt, i cili mëngjesin e kësaj të diele plagosi me armë zjarri dy persona.

Ai qëlloi ndaj Besmir Çofit dhe Avenir Hasanajt teksa dyshja po hynte në një lokal në Vrakë të Malësisë së Madhe.

Më pas u arratis nga vendi i ngjarjes.

Për kapjen e tij, drejt Malësisë së Madhe u nisën edhe dy grupe të forcave speciale RENEA.

“Pas afro tre orë ndjekjeje dhe kontrollesh, Forcat Speciale Renea, në zonën e ballkonit të Tamarës, lokalizuan dhe rrethuan autorin e dyshuar duke i bërë thirrje që ai të dorëzohej. Shtetasi L.R, nuk i’u përgjigj thirrjes për dorëzim, por tentoi disa herë që të dilte nga rrethimi duke përfituar edhe nga koha e keqe me rreshje shiu dhe nga zona e pyllëzuar, por nuk ka mundur dot të largohet dhe pas disa minutash në rrethim është kapur e vënë në pranga. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e zonës për të gjetur armën e zjarrit, të cilën shtetasi L.R, dyshohet se e ka fshehur kur ka parë Forcat Speciale Renea që e kishin rrethuar”, shtoi policia.

Dyshohet se shkak i plagosjes të jetë bërë një konflikt mes autorit dhe të plagosurve një javë më parë në Koplik. Megjithatë pritet që hetimet të zbardhin rrethanat e plota të kësaj ngjarje.

Sa i përket të lënduarve, ata ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.