Bota Gjermania rikthen kontrollet në kufi, edhe me Francën. Kritika nga Polonia e...

Gjermania rikthen kontrollet në kufi, edhe me Francën. Kritika nga Polonia e Greqia, por Hungaria ndjen kënaqësi

Gjermania rinisi këtë të hënë kontrollet në kufijtë e vet.

Policia e Gjermanisë do të kontrollojë jo vetëm personat, që hyjnë në kufijtë lindorë dhe jugorë të vendit, por edhe në kufijtë veriorë dhe perëndimorë. Kjo së paku për gjashtë muaj. Rregullorja e re prek kalimet kufitare nga Danimarka, Holanda, Belgjika, Luksemburgu dhe Franca.

Duke qenë se Gjermania ndodhet në mes të “zonës Shengen”, kontrollet shtesë mund të çojnë në vështirësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

Sipas Reuters, qeveria në Berlin mënon se kjo masë është e domosdoshme për të frenuar emigracionin e paligjshëm dhe për të luftuar ekstremizmin islamik.

Në listën e pikave kufitare me kontroll është shtuar edhe ajo në Kehl me Francën, ku efektivët e Policisë Kufitare janë parë duke ndaluar makinat.

“Kontrollet kryhen tek mjetet ku dyshohet të ketë emigrantë të paligjshëm”, tha për Reuters Dieter Hutt, zëdhënësi i Policisë Federale Gjermane. “Por duam të shqetësojmë sa më pak të tjerët”.

Sipas Hutt, 15 sirianë u kapën të hënën teksa po përpiqeshin të kalonin me tren nga Strasburgu për në Kehl.

Kontrollet brenda zonës Shengen, që normalisht është zonë e lëvizjes së lirë të njerëzve, do të zgjasin gjashtë muaj. Vendimi është kritikuar nga shumë shtete anëtare të BE-së.

Kryeministri polak, Donald Tusk kritikoi se Gjermania do të rrezikonte të gjithë sistemin Shengen me kontrollet e saj të përgjithshme. Në fakt udhëtimi në zonën Shengen është i mundur pa kontrolle identiteti dhe pa radha pritjeje, pasaporta duhet të tregohet vetëm në kufijtë e jashtëm të saj dhe në aeroporte.

Ndërsa kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha se kontrollet do të dëmtonin një prej arritjeve më të mëdha të BE-së.

Ndërsa Hungaria, e cila aktualisht ka Presidencën e radhës të Këshillit të BE, u shpreh duke komentuar me njëfarë ironie kontrollet kufitare gjermane. Për vite me radhë Hungaria është kritikuar dhe akuzuar për qëndrimin e saj të ashpër kundër migracionit të paligjshëm. “Tani duket se ata, që e kanë refuzuar gjithmonë qasjen tonë, po e ndjekin vetë atë. Është komike, sesi disa vite dhe një krizë migrimi mund ta ndryshojnë mendimin”, thuhet në një deklaratë për shtyp të qeverisë së djathtë populiste në Budapest.