Ekonomi Euro vazhdon rënien, i drejtohet kufirit të 99 lekëve

Euro vazhdon rënien, i drejtohet kufirit të 99 lekëve

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 99.28 lekë, duke shënuar një minimum të ri historik.

Rënia vjetore e kursit të euros po shpejtohet përsëri dhe ka arritur tashmë në 6.7%.

Agjentët e këmbimit valutor shprehen se në ditët e fundit kërkesa për euro paraqitet edhe më e ulët.

Edhe dollari amerikan ka vijuar më tej rënien dhe u këmbye të martën me 89.12 lekë dhe ngelet në nivelet më të ulëta të 15 viteve të fundit.

Banka e Shqipërisë arriti ta mbante kursin e këmbimit të euros sipër nivelit të 100 lekëve deri në muajin gusht. Por, tërheqja e Bankës Qendrore ka rikthyer presionet nënçmuese mbi euron, në vijimësi të tendencës së viteve të fundit.

Euro po zhvlerësohet për shkak të ofertës së lartë të monedhës europiane, që mund të shpjegohet me turizmin dhe investimet e huaja. Përveç vlerave të larta të investimit në pasuri të paluajtshme në vitet e fundit, një risi e këtij viti është rritja e investimeve të portofolit. Këto investime konsistojnë kryesisht në blerjen e titujve të borxhit të qeverisë shqiptare nga investitorë të huaj.