Bota Nga rrëmbimi i Adolf Eichmann te vrasja me mitraloz robot të shkencëtarit...

Nga rrëmbimi i Adolf Eichmann te vrasja me mitraloz robot të shkencëtarit bërthamor të Iranit: Operacionet e përpunuara të Mossad-it

Ambulancat në Bejrut, Liban, pas shpërthimit masiv të pajisjeve të komunikimit me valë të njohura si pager

Sulmi vdekjeprurës përmes pajisjeve të komunikimit të njohura si pager që la pas dhjetëra viktima dhe më shumë se 3000 të plagosur në të gjithë Libanin dyshohet se është organizuar nga inteligjenca izraelite, Mossad.

Më shumë se 2,750 njerëz u plagosën në gjithë Libanin, me më shumë se 300 persona në gjendje kritike, pasi mjetet e komunikimi që përdoreshin nga militantët e Hezbollahut shpërthyen një e nga një brenda një kohe të shkurtër.

Mossad ka një histori të gjatë operacionesh të stërholluara në territore të huaja, duke fituar famë fillimisht pasi kreu me sukses kapjen e guximshme të vitit 1960 të nazistit të rangut të lartë Adolf Eichmann, një nga arkitektët kryesorë të Holokaustit.

Pasi Mossad u informua se Eichmann, i cili u largua nga Gjermania në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, ishte fshehur në Buenos Aires, Argjentinë, ata dërguan një agjent për të nuhatur për të dhëna.

Adolf Eichmann

Pas javësh hetimi, ata gjetën dhe identifikuan nazistin e sëmurë, i cili deri atëherë jetonte si ‘Ricardo Klement’, në kryeqytetin e Argjentinës si punëtor, bënte një jetë e qetë dhe paqësore që ishte në kontrast të plotë me mjerimin dhe vuajtjen që ai u shkaktoi miliona njerëzve.

Kryeministri i atëhershëm i Izraelit, David Ben-Gurion, duke vlerësuar se Argjentina nuk kishte gjasa të ekstradonte zyrtarisht Eichmann, vendosi të ngarkonte Mossad-in për ta rrëmbyer atë dhe për ta sjellë në Izrael për t’u gjykuar për krimet e tij.

Më 11 maj 1960, Eichmann-it iu afruan agjentët e Mossad-it, ndërsa ai kthehej në shtëpi nga puna me autobus. Ata e rrëmbyen duke e futur në një makinë dhe ta fshihnin me një batanije përpara se ta transferonin në një strehë të përgatitur tashmë për mbërritjen e tij.

Atje, ai u mbajt për nëntë ditë ndërsa hetuesit punuan për të konfirmuar plotësisht identitetin e tij.

Më pas atij iu dha qetësues përpara se të transportohej me një fluturim të “El Al” me një pasaportë false për në Izrael, ku doli në gjyq për krimet e tij.

Megjithëse Eichmann është ndoshta shembulli më i famshëm i një objektivi të Mossad-it, agjencia ka pasur shumë aksione të tjera të profilit të lartë, madje edhe më vdekjeprurëse.

Një ndër më të dalluarit ishte në vitin 2020, menjëherë pasi SHBA-ja eliminoi gjeneralin e rëndësishëm iranian Qasem Soleimani, kur Mossad vrau Mohsen Fakhrizadeh, shefin e programit bërthamor të Iranit.

Mohsen Fakhrizadeh

Fakhrizadeh drejtoi programin iranian të pasurimit të uraniumit si dhe krahun e kërkimit dhe zhvillimit të ushtrisë. Më 27 nëntor 2020, ai u vra ndërsa lëvizte me makinë në një rrugë rurale pranë Teheranit.

Megjithëse hollësitë e sakta të vdekjes së tij ende shkaktojnë debat, besohet se ai u vra nga një mitraloz robot i komanduar nga largësia në pjesën e pasme të një makine që ishte ngjitur pranë tij.

Ai thuhet se u qëllua 13 herë nga një largësi prej 150 metrash, përpara se makina që kishte mitralozin të shpërthente, sipas një llogarie të konfirmuar nga Ali Shamkhani i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.