Aktualitet Rektori pretendon se i janë falsifikuar firmat, nisin hetimet për skandalin e...

Rektori pretendon se i janë falsifikuar firmat, nisin hetimet për skandalin e diplomave false nga kolegji Wisdom

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime në lidhje me skandalin për dhënien e diplomave false që kolegji universitar Wisdom jepte në këmbim të pagesave.

Hetimet kanë nisur prej muajit korrik, pas kallëzimit të rektorit Bajram Hysaj me pretendimin se në disa raste atij i ishte falsifikuar firma.

Në lidhje me akuzën e falsifikimit të dokumenteve, mësohet se nga ana e prokurorisë është shqyrtuar dokumentacioni, janë sekuestruar shkresa, si dhe është marrë në pyetje rektori.

Disa ditë më parë autoritetet italiane, arrestuan dy administratorët e kolegji universitar Wisdom, gjatë një operacioni të Guarda di Finanza, që lidhej me një skemë mashtrimi me diplomat false.

Bashkë me dy administratorët në pranga përfunduan edhe 7 persona të tjerë.

Administratorët italianë të kolegjit universitar Wisdom, duket se janë koka e një grupi mashtruesish, të cilët erdhën në Tiranë për të ngritur një qendër arsimore me studentë ekselentë, por që devijuan duke shpërndarë diploma e certifikata false për qytetarë italianë.

Dokumentet e prokurorisë italiane dëshmojnë se universiteti privat printonte diplomat false, përkundrejt pagesave që varionin nga 6 mijë euro në profilin e hotelerisë, 9 mijë euro në drejtësi dhe 19 mijë euro në shkencat e edukimit.

Hetimet në Itali nisën nga kallëzimet e disa qytetarëve dhe deri më tani janë 9 italianë të arrestuar, ndërkohë nuk ka asnjë informacion për shtrirjen e hetimeve dhe operacionit të Guardia di Finanza në Shqipëri.