Bota “Jam pjesë e këtij makthi”, një nga 50 të pandehurit pranon akuzat...

“Jam pjesë e këtij makthi”, një nga 50 të pandehurit pranon akuzat për përdhunim ndaj 72-vjeçares franceze

Një nga dhjetëra të pandehurit për përdhunimin e francezes Gisèle Pelicot pasi drogohej nga ish-bashkëshorti i saj, ka pranuar akuzat ditën e enjte duke thënë se i vinte keq për veprën e tij.

44-vjeçari Lionel R., një punonjës supermarketi dhe babai i tre fëmijëve, është një prej personave të akuzuar për pjesëmarrjen e përdhunimit të shumëfishtë të Pelicot përgjatë një dekade.

Ish-bashkëshorti i 72-vjeçares, Dominique Pelicot, ka pranuar se e drogonte deri në gjendje “kome” dhe ftonte të huaj që i njihte online për ta përdhunuar.

Lionel R., pranoi se e kishte përdhunuar Gisèle më 2 dhjetor 2018, edhe pse shtoi se nuk e kishte si qëllim. “Duke qenë se unë nuk mora kurrë miratimin e znj. Pelicot, s’kisha zgjedhje tjetër përveçse të pranoja faktet”.

Më pas, ai iu drejtua asaj: “Më vjen keq, unë mundem vetëm ta imagjinoj makthin që ke përjetuar… dhe unë jam pjesë e këtij makthi. Unë e di që ndjesa ime s’do të ndryshojë atë që ndodhi, por dua të ta them këtë”.

“Nëse do ta dija që ajo s’ishte në dijeni për atë që do të ndodhte, nuk do të kisha shkuar. Duhet të isha siguruar se ajo ishte dakord. Unë nuk fola me të, ndaj s’e mora pëlqimin e saj. Ndihem fajtor për atë që bëra. Nuk i thashë kurrë vetes: ‘do ta përdhunoj atë grua’”, i tha Lionel R., gjykatës, duke shtuar: “Unë jam fajtor për përdhunim”.

Më pas u shpreh se duhet të kishte ikur kur pa se ajo ishte pa ndjenja dhe se u tregua burracak që nuk tha asgjë.

44-vjeçari u përpoq t’i hidhte një pjesë të fajit Dominique Pelicot, duke i thënë gjykatës se kishte bërë çfarë i kishte kërkuar ai. Lionel R., tha se shpjegimet e tij s’ishin “shumë të qarta”, por kishte besuar se thjesht po merrte pjesë në një lojë.

“Flitej për ilaçe mjekësore. Ndonjëherë i pinte ajo dhe ndonjëherë ia jepte ai. Nuk i bëja shumë pyetje vetes. Nuk e mendova kurrë se ajo mund mos të ishte pjesë e kësaj loje. Ky ishte gabimi im i parë i madh”.

Dominique Pelicot i ka pranuar akuzat, duke i thënë gjykatës se ai ishte një “përdhunues”. Ai ka deklaruar se të gjithë burrat e dinin se po vinin të përdhunonin gruan e tij të droguar, të pavetëdijshme. Mes 50 të pandehurve ka një zjarrfikës, një gardian burgu, një infermier dhe një gazetar.

Disa e kanë pranuar që Pelicot u ka thënë se e drogonte ish-gruan, ndërsa të tjerët deklarojnë që besonin se po merrnin pjesë në një lojë të organizuar nga çifti.

Një prej avokatëve të mbrojtjes, i tha Gisèle Pelicot se “ka përdhunim dhe ka përdhunim”, si një përpjekje për të mbrojtur disa prej deklaratave të të akuzuarve, por ajo iu përgjigj:

“Jo, nuk ka lloje të ndryshme përdhunimi. Përdhunimi është përdhunim”. Më pas, avokati i kërkoi ndjesë duke i thënë se donte vetëm të bënte dallimin ligjor të përkufizimit të përdhunimit nga ai “i medias”. “Më vjen keq që këto fjalë të lënduan dhe tronditën”.

Në gjykatë u shfaqën edhe fotot e Gisèle Pelicot për të cilat ajo nuk ishte në dijeni se ishin shkrepur nga ish-burri, duke ngritur pyetje nëse kishte qenë nën efektin e qetësuesve.

Pala mbrojtëse e pyeti edhe nëse e kuptonte se burrat që shihnin këto foto në internet mund të mendonin se ajo dëshironte një marrëdhënie seksuale, edhe pse e droguar. Ajo u përgjigj se ata mund “të pyesnin nëse unë e pranoja”.

Franca është përfshirë nga lëvizje masive në mbështetje të 72-vjeçares

Gisèle u shpreh se ndihej e akuzuar si fajtore, ndërsa 50 të pandehurit ulur krah ish të shoqit shihnin gjithçka. Ajo tha se e kuptoi pse gratë hezitojnë të denoncojnë përdhunimin.

Gjyqi vijon deri në dhjetor.