Ekonomi Korridori VIII dhe X, Balluku nga Budapesti: Hekurudha Shkodër-Gjakovë, projekt kombëtar

Korridori VIII dhe X, Balluku nga Budapesti: Hekurudha Shkodër-Gjakovë, projekt kombëtar

Projekti i Korridorit VIII dhe Korridori X kanë qenë në fokus të diskutimeve të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në takimin e ministrave të Transportit në Budapest.

Balluku njoftoi se ka folur me homologun kosovar për hekurudhën e përbashkët kombëtare që do të lidhë Shkodrën me Gjakovën dhe që do të bëhet më pas pjesë e Korridorit të X, duke i dhënë Shqipërisë dy aksese.

“Kemi folur për një sërë projektesh të përbashkëta, siç është Korridori i VIII, apo Korridori i X, por nga ana tjetër edhe me kolegun Liburn Aliu, me Ministrin e Kosovës, kemi arritur që të diskutojmë për ecurinë e një nga projekteve tona më të rëndësishme kombëtare, atë që do të lidhë Shkodrën me Gjakovën, hekurudhën e re, që do të bëhet më pas pjesë e Korridorit të X, duke i dhënë kështu Shqipërisë dy aksese, në Korridorin e VIII përmes Maqedonisë së Veriut dhe në Korridorin e X përmes Kosovës”, tha Balluku.

Në këtë takim Balluku ka ndarë shqetësimin përsa i përket financimeve që vijnë nga Bashkimi Europian dhe kohës për shkak të burokracive që merr një projekt për t’u realizuar.

“Ne vlerësojmë maksimalisht të gjithë mbështetjen financiare që Bashkimi Europian po jep përmes projekteve të WBIF, përsa i përket ndërtimit të hekurudhave në rajonin tonë, pjesë e Korridoreve të VIII dhe të X, por nga ana tjetër ajo për të cilën ne shqetësohemi dhe këtu i referohem të gjithë vendeve tona fqinje, është koha e gjatë dhe burokracia që merr një projekt për t’u realizuar”, theksoi Balluku.

Po kështu Balluku ka mbështetur deklaratën e zv.kryeministrit italian për zhvillimin e zonës së Ballkanit Perëndimor.

“Jam ndjerë shumë mirë për faktin se Zëvendëskryeministri Salvini ka mbështetur gjithashtu këtë tezë që vendet e Bashkimit Europian duhet të kenë një fokus të veçantë në zhvillimin e zonës së Ballkanit Perëndimor, si një zonë qendrore e cila lidh disa nga shtetet e Bashkimit Europian, ashtu siç është rasti i Korridorit të VIII, ku ndërlidhet Bullgaria dhe Italia, dy vende të Bashkimit Europian, por në mes të këtij Korridori qëndron Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si pjesë e vendeve kandidate për t’u anëtarësuar”, deklaroi ministrja.

Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për  çështje të tjera siç është dekarbonizimi që do të përfshijë të gjitha vendet edhe ato që sot ndodhen në statusin e kandidatit, por që duhen iniciativa të përbashkëta, kuadër ligjor i përafruar dhe mbi të gjitha projekte të cilat shërbejnë jo vetëm zhvillimin lokal, por atë rajonal dhe më gjerë në Europë.