Sport Capello analizon derbin: Abraham-Morata duhen konfirmuar. Nuk i kuptova zëvendësimet e Inzaghit

Capello analizon derbin: Abraham-Morata duhen konfirmuar. Nuk i kuptova zëvendësimet e Inzaghit

I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, ish-trajneri Fabio Capello ka folur për fitoren e Milanit në derbi: “Ishte një ndeshje e mirë, e luftuar, e ekuilibruar dhe argëtuese, edhe pse me disa gabime. Kuqezinjtë e vuajtën Interin vetëm çerek ore lojë, ndërmjet golit të barazimit të Dimarco dhe fundit të pjesës së parë. Në pjesën e dytë, Milani mori kontrollin e lojës. Nuk është rastësi që Sommer ishte ndër më të mirët te zikaltrit”

Për sulmin kuqezi: “Më pëlqeu shumë Abraham dhe Morata. Ata nuk janë qendërsulmues zone, por e dinë se çfarë do të thotë të lëvizësh për ekipin, të ndihmosh dhe të hapësh hapësira. Fitorja e Milanit pati në themel shpirtin e lartë të sakrificës. Këta dy sulmues do t’i konfirmoja edhe në të ardhmen”.

Për Interin: “Mungesa e cilësisë së treguar në pjesën e dytë më tronditi. Nuk e kuptova lëvizjen për të zëvëndësuar plotësisht linjën e mesfushës, por ndoshta zgjedhjet e Inzaghit vareshin edhe nga përpjekjet që pati gjatë javës në Champions League.

Lautaro? Ai nuk është në gjendjen e tij më të mirë fizike. Kapiteni zikaltër përjetoi një sezon të gjatë dhe të lodhshëm, u kthye në përgatitjet parasezonale pas të tjerëve. Sidoqoftë, ai gjithmonë e bën punën e tij”.

Për Gabbia: “Tifoz i vërtetë i Milanit dhe djalë serioz. Është një shpërblim për punën e tij. Bravo Fonsecës që e preferoi atë ndaj Pavlovic, nuk ishte një zgjedhje e lehtë në një ndeshje kaq delikate”.

Për të ardhmen: “Fitorja sigurisht që do t’i japë Fonseca-s më shumë qetësi. Sa i përket Interit, nuk mendoj se humbja do të ketë pasoja. Mund të ndodhë një pengesë në rrugën e gjatë të sezonit”.