Politika “Shteti Bektashi në Tiranë”, Meta: Shashkë e Ramës për të hequr vëmendjen...

“Shteti Bektashi në Tiranë”, Meta: Shashkë e Ramës për të hequr vëmendjen nga korrupsioni

Nismën e kryeministrit Edi Rama për krijimin e një shteti sovran Bektashi në Tiranë, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e konsideron si një shashkë për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga aferat korruptive.

Gjatë një konference për mediat, teksa akuzon Ramën si grabitës të pronave të Bektashinjve, Meta tha se kjo nismë bëhet për efekt elektoral.

“Hodhi idenë për krijimin e shtetit sovran, në mënyrë të njëanshme, të pakonsultuar, të paqartë, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, kjo është një shashkë për të larguar vëmendjen nga aferat korruptive”, tha Meta.

Presidenti i Partisë së Lirisë, shtoi se nismat për të promovuar tolerancën fetare janë të mirëpritura, por nuk sipas tij nuk mund të keqpërdoren për agjenda elektorale pasi mund të kthehet në precedent për ndryshimin e kufijve.

“Kur nuk janë të konsultuara, të mirë të strukturuara, rrezikojnë që të kthehen në precedent të rrezikshëm për rajonin tonë që gëlojnë ende idetë për ndryshimin e kufijve, ku një nga nxitësit ka qenë Edi Rama, me qëllim destabilizimit dhe cenimit të paqes që është arritur me kaq mund”, tha Meta.

Më herët për nismën e kreut të qeverisë ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili po ashtu e konsideroi si “maskë” të Ramës për të larguar vëmendjen nga skandalet qeveritare, si dhe i bëri thirrje besimtarëve bektashinj që të bëjnë kujdes për të mos u keqpërdorur.