Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Diario Crítica” ka botuar, të premten e 14 prillit 1939, në faqen n°4, një shkrim asokohe rreth solidarizimit të nënave argjentinase ndaj fatit tragjik të mbretëreshës Geraldinë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Drama e mbretëreshës Geraldinë ka një ndikim të madh në shpirtrat e nënave argjentinase.
Me rastin e letrës që publikuam dje, drejtuar CRITICA-s nga një nënë argjentinase, ku kërkonte solidaritetin e të gjitha grave të vendit përballë situatës tragjike të Mbretëreshës Geraldinë të Shqipërisë, ne kemi mundur të marrim një ton të admirueshëm simpatie kolektive dhe mbështetje të përgjithshme përballë këtij episodi të dhimbshëm, i cili ka bërë përshtypje të thellë dhe tronditur fibrën emocionale të të gjitha mendjeve.
Që nga botimi i letrës në fjalë, gazetën tonë e kanë vizituar shumë nëna të cilat kanë ardhur të shoqëruara nga fëmijët e tyre të vegjël. Vizitat, letrat dhe telefonatat, në një numër të pazakontë dhe në vazhdimësi të pandërprerë, thonë qartë se mbretëresha Geraldinë nuk është e vetme në këtë orë ankthi dhe se krahas shtratit të saj të dhimbjes të gjitha nënat argjentinase, të gjitha zemrat femërore dridhen nga keqardhja, me merak, me trishtim.
Mesazhi që CRITICA do t’i dërgojë Mbretëreshës së Shqipërisë do të jetë një shembull i shkëlqyer i solidaritetit njerëzor dhe do të pasqyrojë, në të njëjtën kohë me dhimbjen e grave argjentinase, refuzimin e procedurave të dhunshme, të cilat nuk kursejnë asnjë mjet apo burim.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania