Aktualitet Arrestohet 21-vjeçari që bashkë me vëllezërit vrau Valter Fierzën

Arrestohet 21-vjeçari që bashkë me vëllezërit vrau Valter Fierzën

Është vënë në pranga pas 1 viti një nga autorët e vrasjes së Valter Fierzës në fshatin Hot i Ri në Shkodër. 21-vjeçari Luçian Mhilli në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij vrau 33 vjeçarin pas një debati afër banesave të tyre për parkimin.

3 persona janë arrestuar më parë për ngjarjen e rëndë. Përkatësisht Klodian Mhilli, Aleksandër Mhilli, Paulo Mhilli dhe Enton Dushaj. Ky i fundit për ‘moskallëzim krimi’ dhe ‘shitje narkotikësh’.

“Si rezultat i kërkimeve dhe punës së inteligjencës policore, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 21-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e shtetasit V. F., kryer pas një konflikti të çastit, në fshatin Hot i Ri, rreth 1 vit më parë. Deri tani, për këtë rast, Policia ka vënë në pranga 4 shtetas dhe vijon punën për ndalimin e shtetasit të fundit të shpallur në kërkim. Në vijim të punës për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, në lidhje me vrasjen e shtetasit V. F., kryer pas një konflikti të çastit, në afërsi të një lokali në fshatin Hot i Ri, më datë më 21.09.2023, Sektori për Krimet e Rënda dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin L. M., 21 vjeç, banues në Shkodër. Për të, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. 21-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij, të vënë në pranga nga Policia, ka vrarë shtetasin V. F., 33 vjeç.

Në lidhje me këtë rast, Policia ka vënë në pranga dhe shtetasin E. D., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe po punon për kapjen e shtetasit A. M., të kërkuar për të njëjtat vepra penale. Pas ngjarjes, nga kontrollet në lokalin në afërsi të vendit ku u krye vrasja, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike cannabis sativa, në trajtë boçeje, që dyshohet se posedohej nga 5 shtetasit”, njoftojnë blutë.

Dinamika e krimit

Konflikti ka nisur mes vëllait të viktimës, Kolë Fierza dhe autorit të dyshuar Klodian Mhillit, fqinjit të tyre shtëpitë e të cilëve janë pranë njëra-tjetrës. Debati nisi në një lokal afër banesave lidhur me parkimin duke pretenduar se është bllokuar rruga. Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar.

Pas debatit, fqinji i vëllezërve Fierza, ka marrë armën dhe e ka qëlluar 33-vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend. Ka qenë vëllai i Valter Fierzës ai që e gjeti të vdekur jashtë makinës në rrugicën pranë shtëpisë së tyre, e më pas lajmëroi policinë. Pas vrasjes, Klodian Mhilli u largua në drejtim të paditur dhe pas më shumë se 5 muajsh është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës.