Aktualitet Vrasja e Elton Javorit në Fier, arrestohet një prej vëllezërve Gashi

Vrasja e Elton Javorit në Fier, arrestohet një prej vëllezërve Gashi

Rreth 10 muaj nga ekzekutimi i Elton Javorit në Fier, policia ka mundur të verë në pranga një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes.

Bëhet fjalë për 33-vjeçarin Kreshnik Gashi, i shpallur në kërkim që prej dhjetorit të vitit 2023, kohë kur ndodhi dhe ngjarja e rëndë. Gashi akuzohet për penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Për këtë ngjarje në kërkim vijon të jetë ende vëllai i 33-vjeçarit, Agim Gashi.

Elton Javori, 41 vjeç, u vra me armë zjarri më 7 Dhjetor të 2023-t. Ai u ekzekutua sapo zbriti nga makina e tij në lagjen “11 Prilli”, rreth 100 metra larg shtëpisë ku banonte. Shkak për ngjarjen e rëndë dyshohet se u bë një konflikt për motive të dobëta.

“Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i DVP Fier ka ekzekutuar masën e sigurisë të caktuar nga Gjykata e Fierit për veprat penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, për shtetasin Kreshnik Gashi, 33 vjeç, banues në Fier. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi në vitin 2023, në bashkëpunim me vëllain e tij, Agim Gashi, (aktualisht person në kërkim), dyshohet se kanë vrarë për motive të dobëta shtetasin Elton Javori. Vijon puna për kapjen e shtetasit Agim Gashi”, thuhet në njoftimin e policisë së Fierit.

Elton Javori dhe Agim Gashi kishin qenë miq me njëri-tjetrin. Ngjarja dyshohet se erdhi si pasojë e një konflikti mes tyre të nisur kohë më parë. Zanafilla dyshohet se ishte një zënkë në një lokal, mes një prej autorëve dhe viktimës rreth 10 ditë para vrasjes. Javori dhe Gashi mësohet se fillimisht kishin debatuar verbalisht e më pas viktima e kishte goditur me grusht Gashin.