Bota “Më përdhunoni mua, jo vajzën time!” – Gratë tregojnë tmerret e luftës...

“Më përdhunoni mua, jo vajzën time!” – Gratë tregojnë tmerret e luftës civile në Sudan

Ndërsa gjithë sytë e botës janë nga konflikti në Lindjen e Mesme, Sudani ka 17 muaj që po shkatërrohet nga një luftë civile mizore, e cila ka sjellë mijëra të vdekur dhe krime makabre ndaj grave

Një grua, identiteti i së cilës është ndryshuar, dha një intervistë zemërthyese për BBC, ku tregoi ndër të tjera se ç’po ndodh në territorin Dar es Salaam, i cili drejtohet nga Forcat e Shpejta të ushtrisë (RSF).

Banorët thanë se burrat nuk po tentojnë më të largohen nga vendi, madje as të lënë në shtëpinë, pasi rrihen brutalisht nga anëtarët e RSF. Ata u marrin ato pak para që fitojnë në punë të rënda, si dhe i kanë lënë familjet në uri dhe varfëri ekstreme.

Një prej grave, e cila foli për BBC, u shpreh me dhimbje dhe lot në sy:

“Ku është pjesa tjetër e botës? Pse nuk po na ndihmon? Ka kaq shumë gra që janë dhunuar dhe po dhunohen, por ne s’flasim për këtë! Se dhe po të flasim, ç’ndryshim do të bëjë?”.

Ajo vijoi: “Disa vajza detyrohen nga ushtarët e RSF që të flenë jashtë. Nëse ato kthehen vonë nga tregu, rrëmbehen për 5-6 ditë”, ndërsa ngashërehej së bashku me gratë që e shoqëronin.

Gruaja anonime u shpreh: “Në botën tënde, nëse fëmija yt fle jashtë, do e lije aty? Nuk do e kërkoje? Na thuaj, ç’të bëjmë ne? Nuk kemi asgjë në dorë. Askush nuk interesohet për ne! Pse nuk na ndihmon askush?”.

Kufiri që ndan dy bandat e luftës civile është shumë i ngushtë dhe në të, gjithnjë regjistrohen akte barbar dhune, vjedhje etj. Kombet e Bashkuara janë shprehur se mbi 10.5 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, por dhuna seksuale është më prezente se kurrë. Burra të armatosur dhunojnë gratë, vajzat e vogla, në disa raste, edhe burrat, ndërkohë që konflikti vijon të jetë i nxehtë dhe barbar.

Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara, Volker Turk, u shpreh se përdhunimi po përdoret si një armë lufte. Në misionin e fundit, Kombet e Bashkuara dokumentuan raste të shumta përdhunimi dhe kërcënime të vazhdueshme nga anëtarët e ushtrisë, si dhe raste ekstreme dhune nga Forcat e Shpejta, të cilat kanë kryer kështu edhe krime lufte.

Një grua, e cila u takua me një gazetar të BBC në treg, tregoi se forcat e RSF e kishin përdhunuar. Ajo, në këtë artikull, do të identifikohet me emrin Miriam, për të ruajtur privatësinë. Miriam la shtëpinë në Dar es Salaam bashkë me të vëllain, por sërish, i ka shumë të freskëta aktet çnjerëzore të dhunës.

Në fillim të luftës, 2 burra të armatosur hynë në shtëpinë e saj dhe tentuan të përdhunonin vajzat e saj, njëra 17 vjeç dhe tjetra 10 vjeç.

“U thashë vajzave që të qëndronin pas meje dhe iu drejtova burrave të armatosur: “Nëse doni të përdhunoni dikë, më përdhunoni mua, jo vajzat e mia”.

Ajo vazhdoi të rrëfente:

“Ata më qëlluan dhe më urdhëruan të hiqja rrobat. Para se t’i hiqja, u thashë vajzave të largoheshin. Ata morën fëmijët e mi dhe i larguan. Më pas, një prej burrave më përdhunoi”.

Zyrtarë të RSF janë shprehur për hetuesit ndërkombëtarë se kanë marrë gjithë masat e nevojshme për të parandaluar dhunën seksuale dhe çdo formë tjetër dhune që shkon ndesh me të drejtat e njeriut, për dëshmitë e shumta të vajzave dhe grave tregojnë totalisht një tjetër gjë.

Një fqinjë e Miriam tregoi se vajza e saj 15-vjeçare kishte mbetur shtatzënë, si pasojë e përdhunimit nga forcat e RSF. Njerëzit ishin zgjuar nga gjumi nga britmat e saj dhe kishin shkuar për të parë se ç’po ndodhte, por burri i armatosur kishte thënë se do të qëllonte mbi njerëzit, nëse ata nuk ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Të nesërmen në mëngjes, ata gjetën vajzën 15-vjeçare dhe motrën e saj me shenja abuzimi në trup, ndërsa vëllain më të rritur, të kyçur në një dhomë tjetër.

Rastet e dhunës karshi grave janë të tmerrshme dhe me shumë gjasa, pa një ndërhyrje, do të vijojnë dhe ato do të përjetojnë të njëjtat makthe të paimagjinueshme.