Politika Bardhi i bindur: Gjykatësi Artan Gjermeni do të shkojë në burg

Bardhi i bindur: Gjykatësi Artan Gjermeni do të shkojë në burg

Gazment Bardhi, në një konferencë për mediat, një ditë pas dënimit me një vit burg të deputetit Ervin Salianji, hodhi akuza të forta ndaj Artan Gjermenit, gjykatësi i shkallës së parë, për të cilin tha se vendos se çfarë thotë krimi.

Bardhi u zotua se Partia Demokratike do t’i bëjë vetingun këtij gjyqtari, i cili do të shkojë në burg, sipas deputetit demokrat.

“Artan Gjermeni, gjykatësi i shkallës së parë, do të shkojë në burg, pasi është një nga gjyqtarët që vendos çfarë thotë krimi. Atë vetingun që iu shmang, të jeni të sigurt që do t’ia bëjë Partia Demokratike”, tha Bardhi.

Më tej, ai vijoi me akuza ndaj SPAK-ut, pasi sipas tij, nuk ka thirrur Taulant Ballën për çështjen e Xibrakës. Bardhi theksoi se për këtë dosje u tentua të gjendej një tjetër aktor për të luajtur Olsi Ramën.

“Keni dëgjuar ju ta thërrasë SPAK-u Taulant Ballën, i cili tha unë e di kush është i paidentifikuari në dosjen e Xibrakës. E ka thënë në foltoren e Kuvendit. Plani tjetër ishte të krijonin një aktor për ta bërë Ols, siç gjetën një aktor dhe e bënë Geron. PD nuk ka dalë kurrë me asnjë denoncim të saj. Kështu na kanë përqeshur me Rroshin, Kajmakun e të tjerë, pastaj ulnin kokën kur iu arrestoheshin kryebashkiakët, të njëjtën gjë na thanë edhe me Saimir Tahirin, të cilin e shpallën ministër kampion, bashkë me kushërinjtë, por ata shkuan në burg. E vërtetë vonon, por del”, tha Bardhi.