Kryesore Rama nga SHBA: Shqipëria, e vendosur që të mos ia dorëzojë Teheranit,...

Rama nga SHBA: Shqipëria, e vendosur që të mos ia dorëzojë Teheranit, iranianët e MEK

“Shqipëria është e vendosur që mos t’i dorëzojë regjimit të Teheranit iranianët e MEK në Manzë, edhe pse e paguam me sulmet kibernetike ndaj sistemit shqiptarë”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, në aktivitetin e organizuar në SHBA për kontributin dhe vlerësimin e Shqipërisë dhënë për strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve.

Ndërkohë që iranianëve që jetojnë në Manzë u dha mesazhin e të mos bërit politikë duke përdorur Shqipërinë si platformë. Ai foli në një aktivitet te organizuar në SHBA për kontributin dhe vlerësimin e Shqipërisë dhënë për strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve.

“Vende më të mëdha e më të forta europiane nuk deshën t’i ndihmonim dhe ne paguam një çmim të shtrenjtë mikpritjen për ta, pasi regjimi totalitar i Teheranit u angazhua në një agresion kibernetik masiv kundër Shqipërisë, i cili synonte të zhdukte gjithë infrastrukturën tonë digjitale të shërbimeve publike. Po ne nuk u hoqëm dorë dhe nuk do të heqim dorë nga zotimi për t’i strehuar ata njerëz në vendin tonë për aq kohë sa është e nevojshme, sepse mikpritja jonë nuk ishte dhe as është e lidhur me ndonjë qëndrim politik kundër Iranit, por vetëm me bindjen humanitare të gdhendur në shpirtin tonë si komb. U detyruam t’i përgjigjeshim sulmit brutal të regjimit iranian duke ndërprerë marrëdhëniet tona diplomatike dhe duke përzënë personelin e tij diplomatik nga vendi ynë, por e përsëris se iranianët në Shqipëri janë në besën tonë, ashtu siç qenë hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Teheranit do i duhet ta flejë mendjen, se nuk ka shanse që t’i dorëzojmë ndonjë prej tyre regjimit. Nga ana tjetër, ne nuk i inkurajojmë miqtë e strehuar tek ne në asnjë aksion politik që përdor si platformë Shqipërinë”, tha Rama.

Për kryeministrin Rama Hamas është një nga shëmbëlltyrat më të këqija në botë dhe se bota duhet të jetë e bashkuar në luftën ndaj terrorit. Ai theksoi se armëpushimi është i nevojshëm për ti dhënë fund vuajtjeve të civilëve, por pa lirimin e pengjeve vetëm inkurajon Hamasin.

“Terroristët kanë monumentet e tyre. 11 shtatori, 7 tetori… Por ata kurrë nuk duhet të kenë fitore të tyret kundër njerëzimit tonë të përbashkët. Shqipëria ka votuar më shumë se njëherë në Kombet e Bashkuara pro armëpushimit të menjëhershëm, por, ndërkohë, nuk kemi dyshuar kurrë që një armëpushim i cili nuk përfshin lirimin e të gjitha pengjeve nuk është veçse inkurajim për Hamasin. Po kështu, ne kemi përkrahur prej një kohe të gjatë dhe përkrahim vendosmërisht zgjidhjen përmes dy shteteve, si e vetmja rrugë përpara drejt një paqeje afatgjatë, por, për ne, kjo do të thotë që Hamasi duhet të dalë “jashtë loje” dhe të krijohet një përfaqësim të besueshëm politik i palës palestineze, i mbështetur nga të gjitha vendet arabe”, u shpreh Rama.

Duke theksuar se Shqipëria nuk dëshiron konflikte apo mërira nacionaliste në rajon, Rama theksoj më tej se aleatët strategjikë janë SHBA e BE, duke përmendur dhe shtetet e rajonit si Italia, Turqia e Greqia. Ai kërkoi partneritete më të forta me botën arabe .