Aktualitet Bardhi shantazhohet në telefon nga “Mbreti Zog” me emrat e personazheve të...

Bardhi shantazhohet në telefon nga “Mbreti Zog” me emrat e personazheve të botës së krimit

Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë një padi në SPAK pasi pretendon se është shantazhuar në telefon me disa dokumente false.

Këto mesazhe i kanë shkuar në aplikacionin “Signal” nga një përdorues me emrin “Mbreti Zog”, ku përmenden personazhe të botës së krimit.

Gazment Bardhi ka informuar Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion në lidhje me këtë rast, duke i kërkuar që të hetojë mesazhet e mbërritura më datë 28 Shtator në aplikacionin Signal.

Në letrën e tij, ku ka vënë në dijeni dhe ambasadat e SHBA, BE-së dhe Britanisë së Madhe, Gazment Bardhi thotë se pas kësaj ngjarje të fabrikuar persona publikë dhe figura të krimit të organizuar të denoncuar prej tij publikisht dhe në SPAK.

“Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor”, thotë Bardhi në letrën për drejtuesin e SPAK.

Gazment Bardhi i kërkon SPAK që të hetojë dhe verifikojë në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj tij, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të këtyre mesazheve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar.