Kryesore Deputetët e opozitës djegin karriget jashtë Kuvendit

Deputetët e opozitës djegin karriget jashtë Kuvendit

Ashtu siç pritej, seanca e sotme parlamentare ka nisur me tensione. Teksa deputet e opozitës janë bërë ‘gardh’ te foltorja, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka hedhur sende në drejtim të kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali. Kjo e fundit iu drejtua me ironi duke i thënë: Sa trim që je!

Edhe demokrati Flamur Noka e disa deputetë të tjerë i janë bashkuar këtij akti, duke hedhur shishe uji e kartona. Më tej, Spiropali njoftoi opozitën se Këshilli i Mandateve nuk do të mblidhet pasi Gjykata e Apelit të Tiranës ka marrë vendim të formës së prerë për deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji.

Më pas, deputetët e Partisë Demokratike morën karriget dhe i hodhën jashtë ambienteve të Kuvendit.

Në fund i hodhën benzinë dhe i vunë flakën.

E gjithë kjo skenë ndodhi pasi kryeparlamentarja Elisa Spiropali njoftoi vakancën e krijuar në parlament me mandatin e Salianjit.

“Në lidhje me njoftimin për urdhrin e ekzekutimit për vendimin penal për deputetin Ervin Salianji pasi mora opinionin e Shërbimit Legjislativ pranë Kuvendit sqaroj se rregullorja e Kuvendit në nenin 13 të saj nuk parashikon mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për rastet kur mandati i deputetit mbaron për shkak të dënimit gjyqësor me vendim të formës së prerë. Sa më sipër njoftoj vakancën e krijuar për shkak të zbatimit të vendimit penal të formës së prerë ndaj zotit Ervin Salianji dhe të bëhet njoftimi përkatës pranë KQZ-së”, tha Spiropali.

Ndërkohë pasi dogjën karriget, deputetët e PD-së u rikthyen sërish në sallë. U desh ndërhyrja e efektivëve të gardës që bëri të mundur fikjen e zjarrit.