Aktualitet Artan Hoxha dëshmon në SPAK për ’21 Janarin’

Artan Hoxha dëshmon në SPAK për ’21 Janarin’

Gazetari Artan Hoxha u pyet për disa orë nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve që kjo e fundit ka regjistruar për zbardhjen e përgjegjësive mes zyrtarëve të lartë në pasojat e protestës së 21 Janarit 2011.

Ai dorëzoi përballë hetuesve një audio-përgjim ku pretendohet të dëgjohen komunikimet e gardistëve ditën e protestës dhe në momentin e dhënies së urdhrit për të qëlluar.

Hoxha tha për mediat se kjo është një mundësi e mirë për zbardhjen ngjarjes me pasojë vdekjen e 4 protestuesve në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

“Kaseta shërben për hetimin sepse bëhet e qartë jo vetëm ka pasur komunikim por mes drejtuesish, komunikim rutinë në momentin pasi ka ndodhur vrasja. Materiali është 34 minuta. Komunikime në momentin e vrasjeve, brenda 7 sekonda jepet urdhër për të vrarë. Materiali shërben për të identifikuar kush është zinxhiri komandues dhe dalin drejtues të tjerë të shtetit që komunikojnë me gardën, materiali iu dha prokurorisë dhe do e vlerësojë sa i vlefshëm dhe për çfarë u shërben”.

Prokuroria e Posaçme, e detyruar nga një vendim i Gjykatës së Lartë, regjistroi në 16 Korrik të këtij viti hetimet për akuzat e vrasjes në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre dhe kryerja e veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës.

Hetuesit e posaçëm administruan dosjen nga Prokuroria e Tiranës e cila prej disa vitesh e kishte rihapur këtë hetim për vrasjen e shtetasit Aleks Nika dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.