Drejtuesi i mjetit që pasditen e djeshme rreth orës 18:25 përplasi për vdekje 40-vjeçarin Florant Pllana në aksin rrugor Pogradec-Qafë Plloçë dhe u largua duke e lënë trupin e pajetë të tij në rrugë, është arrestuar pas 24 orësh nga policia.
Blutë e qytetit juglindor kanë zbardhur të plotë rrethanat dhe dinamikën e aksidentit tragjik në vendin e quajtur “Ura e Leshnicës”, duke vënë në pranga 38-vjeçarin Gentjan Capo, nga fshati Gështenjas.
Policia sqaron se hetime intensive dhe kontrolle në të gjithë zonën përgjatë aksit nacional Pogradec-Korçë, duke përdorur edhe dronët çuan në identifikimin e mjetit tip “Volkswagen” të përfshirë në aksident dhe zbulimin e drejtuesit.
“Në vijim të informacionin paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, tek vendi i quajtur “Ura e Leshnicës”, u gjet i pajetë shtetasi F. P. 40 vjeç dhe paraprakisht u dyshua për aksident rrugor, grupi hetimor nën drejtimin Prokurorisë vijoi veprimet hetimore për identifikimin e drejtuesit të mjetit, që shkaktoi aksidentin. Pas një pune intensive të bërë nga Sektori i Policisë Rrugore, që nga mbrëmja e djeshme me këqyrje te kamerave qe ndodheshin ne aksin rrugor Korçë-Pogradec, kontrolle me dron dhe dylbi të territorit te fshatrave dhe zonave të banuara përreth vendndodhjes se aksidentit dhe informacioneve të marra ne rruge operative, u bë e mundur që rreth reth orës 16:40, të lokalizohej nëpërmjet dronit automjeti tip “Volkswagen” i përfshirë në këtë ngjarje rrugore. Gjithashtu u identifikua dhe drejtuesi i automjetit shtetasit G. C., 38 vjeç, banues në fshatin Gështenjas, Pogradec. Shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në Komisariat shtetasin G. C., i cili u arrestua për veprat penale ” Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, ndërsa automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, bën me dije policia.