Politika “Reago sa je në kohë”, Berisha thirrje Ramës: Kërkojmë qeveri teknike, jo...

“Reago sa je në kohë”, Berisha thirrje Ramës: Kërkojmë qeveri teknike, jo pushtet në tavolinë

Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi një konferencë për mediat këtë të martë. Ai falenderoi të gjithë protestuesit që morën pjesë në tubimin e opozitës një natë më parë.

“Nga mbrëmë shqiptarët u vërtetuan guximtarë dhe heronj dhe kjo vetëm falë jush sepse e treguat që nuk ka paqe më me vjedhjen, me poshtërimin, me krimin e organizuar, mbrëmë treguat se zjarri i revoltës ka filluar të djegë trojet e narkoshtetit”, tha Berisha.

Në fjalën e tij ai pati një mesazh edhe për kryeministrin Edi Rama.  Kreu i PD-së kërkoi qeveri teknike jo si kërkesë për pushtet në tavolinë, por si mënyrën më të mirë për të garantuar zgjedhje të lira.

“Për Edi Ramën kam një thirrje. Opozita ka vetëm një javë në aksion. Me kaq ti ke humbur parlamentin, me kaq institucionet e krimit u dogjën nga flaka e revoltës. Reago sa je në kohë. Nuk kërkojmë pushtet në tavolinë as dhe ta marrim pushtetin me forcë. Kërkojmë vetëm qeveri teknike si mënyrën më të mirë, më demokratike, më të civilizuar për të garantuar zgjedhje të lira. Aty në zgjedhje të lira të shohim kë votojnë shqiptarët. Pse ke frikë Edi Rama? Kur mendon se fiton pse nuk krijon qeverinë teknike? Të bëj thirrje dhe një herë krijo qeverinë teknike sepse javët që vijnë mosbindja civile do të çmontojë narkoshtetin tënd”, tha Berisha.