Edhe pse janë të përjashtuar për 40 ditë nga punimet e Kuvendit, anëtarët demokratë të Komisionit Hetimor të Sterilizimit janë përplasur me Gardën, pasi kanë tentuar që të futen në mbledhje.
Xhelal Meziu, duke u shtyrë me gardistët, nuk ka kursyer as kolegen socialiste Milva Ekonomi.
Kreu i grupit kuvendor socialist, Niko Peleshi, e cilësoi si tejkalim të çdo kufiri nga ana e deputetëve të opozitës dhe u bën thirrje për t’u rikthyer rrugës së dialogut dhe jo dhunës.
“Opozita po tenton të sjellë krizën e vet edhe në Kuvend. Dhuna ndaj deputetëve, stafit të Kuvendit, Gardës apo Policisë është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme. I bëjmë thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të rikthehen në rrugën e arsyes dhe të dialogut. Dhuna dhe përpjekjet për të bllokuar punën e Kuvendit nuk i shërbejnë as qytetarëve, as demokracisë”, tha Niko Peleshi.
Ndërkohë që dhe mbledhja e Komisionit Hetimor ka risjellë të njëjtat përplasje mes kryetares demokrate Albana Vokshi dhe nënkryetarit socialist Plarent Ndreca.