Mario Mitaj, i freskët nga kalimi në kampionatin arab, nuk e ka humbur besimin te grupi i Kombëtares dhe kundër Çekisë e sheh situatën pozitive.
“Me Çekinë kemi luajtur vitin e kaluar dy herë. E dimë kundërshtarin dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Mbrojtja jonë është shumë e fortë, thuajse të gjithë lojtarët kanë shumë minuta me klubet e tyre. Kanë luajtur mirë dhe nuk besoj se do kemi probleme në këtë aspekt.
Në mbrojtje besoj se jemi më të fortë. Qendërmbrojtësit, mbrojtësit e krahut pothuajse luajnë me klubet e tyre dhe kanë minuta në këmbë”, tha Mitaj në konferencën e shtypit.
Pas një humbje, si ajo me Gjeorgjinë, atmosfera është zakonisht më e tensionuar, sidomos për një skuadër që kërkon të bëjë rezultat dhe që është e thirrur në çështje tani të fitojë në Pragë.
“Gjithmonë kur futemi në fushë, dëshira jonë është që të fitojmë. E nisëm mirë, me fitore ndaj Ukrainës, dhe pastaj humbëm. Nuk duhet që kjo humbje të ndikojë në psikologjinë tonë, por duhet të na ndihmojë që të rikthehemi te fitorja”.
Në fund, Mitaj u ndal edhe në pritjen që i kanë bërë në Arabinë Saudite: “Jam çuditur me mënyrën si më kanë pritur. Sidomos lojtarët, më janë gjendur afër. Por edhe pjesëtarët e klubit janë shumë profesionistë. Jam ambientuar – tha mbrojtësi i majtë, duke shtuar -. Besoj se çdo lojtar ka dëshirë që të luajë me Benzema, Kante, futbollistë që kanë bërë karrierë të madhe në Europë. Besoj se do më ndihmojnë për të ardhmen për t’u bërë një lojtar më i mirë dhe për t’u zhvilluar edhe si person”.