Sport Gruda i mbyll përfundimisht derën Shqipërisë: Dua të luaj për Gjermaninë

Gruda i mbyll përfundimisht derën Shqipërisë: Dua të luaj për Gjermaninë

Brajan Gruda nuk do të veshë fanellën kuqezi. Sulmuesi i talentuar i ka mbyllur përfundimisht derën kombëtares shqiptare teksa ka folur nga grumbullimi me Shpresat e Gjermanisë.

Në një prononcim të publikuar në faqen e Federatës Gjermane të Futbollit, ai ka thënë se synon të jetë me Gjermaninë në Kupën e Botës 2026.

“Jam i lumtur që jam këtu, po argëtohem, si në stërvitje dhe jashtë saj. Jam kthyer në stërvitje prej 1 jave. Mendoj se do të prezantohem ngadalë dhe do të marr disa minuta në ndeshjen e parë. Ndoshta më shumë në ndeshjen e dytë. Do ta shfrytëzoj sa më shumë kohën time me U21, minutat do të më bëjnë mirë.

Grumbullimi me kombëtaren A të Gjermanisë, ishte një ndjenjë e mrekullueshme. Isha në gjendje të stërvitesha me lojtarë që më parë i shihja vetëm në TV. Ishte intensive dhe mund të shihje qartë ndryshimin në cilësi në krahasim me U21.

Për momentin jam i lumtur që jam me U21 dhe ky është fokusi tani. Por të gjithë duan të luajnë për ekipin A. Synimi im është Kupa e Botës 2026 dhe dua të luaj një rol të rëndësishëm atje. Dua të fitoj gjithçka me U21. Është më mirë nëse i fitojmë të dyja. Do të vijë edhe koha ime në ekipin e të rriturve.

Unë kam familjen në Shqipëri, prindërit e mi vijnë nga atje. Këtu kam lindur dhe rininë e kam kaluar në Gjermani. Nuk e di se çfarë ka e ardhmja, por zemra ime më thotë se dua të luaj për Gjermaninë”, tha Gruda, i cili u transferua në merkaton e verës te Brighton në Premier League.