Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan, pasi nënshkruan marrëveshjet mes dy vendeve, dolën me një deklaratë të përbashkët.
Fillimisht, Erdogan theksoi se po vijojnë përpjekjet për të rritur vëllimin tregtar mes Shqipërisë dhe Turqisë.
“Jam i nderuar që jam në vendin mik dhe vëllazëror, Shqipërinë. Marrëdhëniet tona shtrihen përtej një shekulli. Sot, e thelluam më tej partneritetin tonë strategjik. Shkëmbyem pikëpamje të hollësishme mbi fushat e bashkëpunimit të përcaktuara më parë. Konfirmuam vullnetin për të avancuar bashkëpunimin tonë me 3 marrëveshjet e nënshkruara. Vijojmë përpjekjet për të rritur vëllimin tregtar”, tha Erdogan.
Më pas Erdogan vuri theksin te lufta ndaj FETO-s dhe presioni ndaj Izraelit: “Diskutuam edhe luftën e përbashkët kundër organizatës terroriste FETO. Shpresoj ta vazhdojmë këtë luftë në mënyrë efektive me vendimet që kemi marrë sot. Ndjekim me admirim përpjekjet e Shqipërisë për të vendosur paqe. Mizoritë e Izraelit ishin një ndër pikat e diskutimet. Agresionet e qeverisë Netanyahu janë bërë kërcënim për rendin global. Gjenocidi në Gazë është turpi i përbashkët i të gjithë njerëzimit. Prandaj ne duhet të ofrojmë ndihma humanitare dhe të bëjmë presion ndaj Izraelit. Unë besoj se Shqipëria do të bëjë pjesën e saj”.
Erdogan u ndal tek Xhamisë së Namazgjasë, për të cilën tha se është dhuratë e popullit turk për ‘motrat e vëllezërit e tyre myslimanë’ në Shqipëri.
Erdogan tha kjo xhami do të jetë një vend adhurimi ku do të lulëzojë ndjenja e paqes dhe unitetit.
“Sot së bashku me mikun tim Edi Rama do të hapim Xhaminë e Namazgjasë, e cila është dhuratë e popullit turk për motrat e vëllezërit e tyre myslimanë në Shqipëri. Falenderoj të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Kjo vepër e shquar, xhamia më e madhe në Ballkan, do të jetë një vend adhurimi ku do të lulëzojë ndjenja e paqes dhe unitetit, vlerat supreme të Islamit. Me këto mendime dua të falenderoj të gjithë miqtë shqiptarë, veçanërisht kryeministrin Rama, për mikpritjen e sinqertë”, tha mes të tjerash Erdogan.