Çmimi Nobel për Letërsinë 2024 iu dha shkrimtares nga Koreja e Jugut, Han Kang, për “prozën e saj poetike intensive që përballet me traumat historike duke ekspozuar brishtësinë e jetës njerëzore”.
Han, 53 vjeçe, e nisi karrierën me disa poema në një revistë në Korenë e Jugut, para se të bënte debutimin e saj në prozë në vitin 1995, me një përmbledhje me tregime të shkurtra.
Më vonë, ajo nisi të shkruajë proza më të gjatë, në veçanti “The Vegetarian”, një nga librat e parë të përkthyer në anglisht në vitin 2015.
Romani, i cili fitoi çmimin “Man Booker International Prize” në vitin 2016, rrëfen përpjekjen e një gruaje të re për të jetuar një ekzistencë të ngjashme me “një bimë” pas vuajtjes së maktheve makabre mbi mizorinë njerëzore.
Han është autorja e parë koreanojugore që fiton Çmimin Nobel për Letërsinë, dhe gruaja e 18-të nga 117 çmime të dhëna që prej vitit 1901.
Pjesa më e madhe e veprës së Han bën pyetjen, e shprehur nga një personazh i romanit të saj “Europa”, në vitin 2019, protagonisti i së cilës përndiqet nga makthet: “Nëse do të mund të jetoje siç do të dëshiroje, çfarë do të bëje në jetën tënde?”.
Edhe pse shumë prej personazheve të Han janë gra, veprat e saj në prozë shpesh rrëfehen nga këndvështrimi i burrave.
“Para se gruaja ime të bëhej vegjetariane, kisha menduar për të se është një person i parëndësishëm, në çdo këndvështrim” – nis romani i saj “The Vegetarian”. “Megjithatë, nëse nuk do të kishte ndonjë tërheqje të veçantë, as nuk do të shfaqej ndonjë aspekt i veçantë, dhe për këtë arsye nuk kishte asnjë motiv që ne të dy të mos martoheshim”.
Akademia suedeze e vlerësoi veprën e Han për “ndërgjegjësimin e saj unik për lidhjet midis trupit dhe shpirtit, të gjallëve dhe të vdekurve”. Nëpërmjet “stilit të saj poetik dhe eksperimental është bërë një novatore në prozën bashkëkohore”, tha Akademia.