Nga Xhamia e re e Namazgjasë në Tiranë, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka sulmuar ashpër kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, për atë që ai e quajti terrorizëm shtetëror të Izraelit ndaj popullsisë palestineze në Gaza.
Sipas Erdogan, Netanyahu e ka treguar qartë se nuk e dëshiron paqen në Gaza.
“Të dashur vëllezër e motra ka kaluar një vit nga gjenocidi që ka startuar nga Izraeli në Gaza në tokat palestineze. Janë 50 mijë vëllezër që janë vrarë nga sulmet e Izraelit e kanë rënë shehid. Janë bombarduar xhami, shkolla e tregje. Izraeli vazhdon sulmet barbare ndaj fëmijëve dhe grave. Izraeli tashmë e ka drejtuar ofensivën e tij drejt Libanit. Është një detyrim i moralit dhe ndërgjegjes njerëzore për të gjithë ata që kanë ndjenja të qëndrojnë kundër terrorizmit shtetëror që aplikohet nga Netanyahu në Palestinë. Netanyahu e tregoi qartë se nuk e do paqen. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar se ne duhet të mbajmë një qëndrim të përbashkët”, tha Erdogan.
Në lidhje me xhaminë e re të Namazgjasë, presidenti turk u shpreh se objektet e kultit jo vetëm duhet të ndërtohen, por edhe të ruhen nga qarqe që kanë qëllime okulte dhe personale, duke referuar në këtë mënyrë organizatës FETO që Turqia e ka shpallur terroriste.
“Feja jonë e madhe na detyron që jo vetëm t’i ndërtojmë xhamitë, por t’i mbrojmë ato. Njësoj sikur sot që po ndërtojmë xhaminë, duhet të përpiqemi që këto vlera ti mbajmë gjallë mes nesh. Ne nuk duhet të shkëputemi nga feja islame, nga feja e paqe dhe nuk duhet t’ua lemë fushën bosh qarqeve që punojnë për interesa personale. Pra kjo është detyra e çdo myslimani që ka vetëdije dhe ndërgjegje. Xhamia e Namazgjasë është xhamia e vëllezërve myslimanë me ndërgjegje të pastër. Turqia do të vazhdojë t’iu qëndrojë pranë atyre që kanë nevojë. I lutem Allahut që të gjitha lutjet në këtë xhami të pranohen nga i madhi zot”, u shpreh Erdogan.