Inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë nuk arriti të bëjë bashkë politikën shqiptare. Fillimi i punimeve për ndërtimin e saj është bërë dy herë, nga dy kryeministra të ndryshëm, Sali Berisha në 2013 dhe Edi Rama në 2015.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kryedemokrati Berisha shprehet se ndërtimi i saj u vonua nga Edi Rama dhe se besimtarët mysliman duhet ta kishin pasur këtë objekt kulti vite më parë.
“Pas zgjedhjeve, Rama në një akt të papërgjegjshëm e ndërpreu ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë. Fillimi i ndërtimit të xhamisë u inaugurua për së dyti me datë 20 prill 2015, por me projekt të ndryshuar dhe në prani të njeriut që e kishte penguar me të gjitha mënyrat rikthimin e tokës komunitetit mysliman dhe ndërtimin e Xhamisë, Edi Ramës dhe Presidentit të Republikës së Turqisë Erdogan i cili me sa duket ndikoi tek Rama që të mos pengonte ndërtimin e saj dhe mori përsipër financimin e ndërtimit të xhamisë”, tha ish-kryeministri.
Sipas Berishës, ndërtimi i këtij objekti kulti nuk ka sjellë unitet në komunitetin mysliman shqiptar dhe merr si shembull ftesën e munguar për kreun e KMSH, Bujar Spahiu.
“Kjo bujari e besimtarëve myslimanë të Turqisë u përdor nga Edi Rama për qëllime politike, por dhe më keq për të ngjallur farën e përçarjes së myslimanëve shqiptarë. Nën këtë moto të përçarjes sot në shkelje e statutit 100 vjeçar të KMSH nuk do jetë në inaugurim Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe ky është një ofendim për të gjithë besimtarët mysliman të Shqipërisë që ai në mënyrë legjitime përfaqëson”, shtoi Berisha.
Reagimin e tij Berisha e mbyll duke nënvizuar se Partia Demokratike respekton parimin e ndarjes së shtetit nga feja dhe se nuk pajtohet me veprimet e qeverisë së Edi Ramës.