Aktualitet Kapen 31 mijë paund në Portin e Durrësit, ishin fshehur në shasinë...

Kapen 31 mijë paund në Portin e Durrësit, ishin fshehur në shasinë e një furgoni. Në pranga 32-vjeçari

Policia Kufitare në Durrës ka arrestuar në flagrancë një 32-vjeçar nga Tirana, pasi në furgonin që ai drejtonte, është gjetur pas kontrollit të fshehura në shtresën e shasisë, shuma prej 31.120 paund britanik.

“Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me qëllim garantimin e qarkullimit të ligjshëm dhe të sigurt të shtetasve dhe mallrave, Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT Durrës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, finalizuan operacionin policor të koduar “Checked”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 32 vjeç, banues në Tiranë.”

Sipas autoriteteve burimi i këtyre parave është i dyshimtë dhe 32-vjeçari ka tentuar për t’i futur në Shqipëri pa i deklaruar.

Po ashtu në furgonin e tij u gjetën edhe veshje, vegla pune e pajisje elektroshtëpiake, të dyshuara të kontrabanduara.

“Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar, furgoni që drejtonte 32-vjeçari. Nga kontrollet, në këtë automjet janë gjetur të fshehura në shtresën e shasisë, nën sediljen e drejtuesit, 31.120 paunde. Gjithashtu, në furgon janë gjetur veshje, vegla pune dhe pajisje elektroshtëpiake. Paratë, të cilat kanë burim të dyshimtë, shtetasi A. K. synonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar, ndërsa mallrat dyshohet se janë të kontrabanduara, sepse nuk ishin të shoqëruara me fatura blerjeje.”

Policia sqaron se kanë sekuestruar automjetin, paratë dhe mallrat. Hetimet për rastin do të kryhen nga Prokuroria e Durrësit, me 32-vjeçarin që akuzohet për veprat penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.