Aktualitet Tentativë vrasjeje në Elbasan, arrestohet 59-vjeçari. Në pranga edhe një mjek

Tentativë vrasjeje në Elbasan, arrestohet 59-vjeçari. Në pranga edhe një mjek

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga dy persona këtë të shtunë. Mësohet se shtetasi me inicialet A.K mesditën e djeshme ka tentuar të vrasë me thikë një 26 vjeçar. Ky i fundit ka shkuar në spital, por rezulton se mjeku nuk ka shënuar asgjë në kartelën e tij mjekësore. Kështu policia ka arrestuar edhe mjekun për “shpërdorim detyre”. Mësohet se autori i plagosjes ishte në gjendje të dehur.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Mesnata”. Zbardhet ngjarja e ndodhur mesnatën e djeshme, ku një shtetas tentoi të vriste me mjet të mprehtë, një 26-vjeçar. Si rezultat i veprimeve policore kapet dhe vihet në pranga autori i ngjarjes. Në pranga vihet dhe mjeku i spitalit ku mori mjekim 26-vjeçari, për shpërdorim të detyrës. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Haxhias”, një shtetas kishte plagosur me mjet prerës një 26-vjeçar, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i reagimit në kohë dhe i veprimeve të shpejta operacionale dhe inteligjencës policore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mesnata”, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar shtetasit A. K., 59 vjeç, banues në Elbasan. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi A. K., mesnatën e djeshme, në lagjen “Haxhias”, në gjendje të dehur, ka tentuar të vrasë me mjet të mprehtë (thikë) shtetasin D. B., 26 vjeç, banues në Elbasan, i cili ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore.

Po nga veprimet hetimore ka rezultuar se mjeku i rojes, në spitalin ku ka marr mjekim 26-vjeçari, nuk ka shënuar në kartelën mjekësore asnjë informacion mbi mjekimet e dhëna të pacientit. Për këtë arsye Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e tij. Urdhër ndalimi i Prokurorisë është ekzekutuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, të cilët kanë ndaluar mjekun roje në spitalin ku ka marrë mjekim 26-vjeçari, shtetasin K. D., 32 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës“, thotë Policia.